Kryeministri Edi Rama deklaroi se buxheti i vitit 2025 është një pasqyrë e arritjeve të mëdha gjatë dekadës së kaluar dhe një hap drejt realizimit të objektivit të Shqipërisë europiane. Në fjalën e tij në Kuvend, Rama theksoi se shqiptarët do t’i japin PS-së një “gjykim historik” në zgjedhjet e ardhshme, duke e krahasuar Shqipërinë e sotme me realitetin e errët të vitit 2013. Ai theksoi se Partia Socialiste është e vetmja forcë që mund të udhëhoqë vendin drejt zhvillimit dhe integrimit evropian, duke pasur një vizion të qartë për të ardhmen.
Kryeministri premtoi se gjatë mandatit të katërt të qeverisë, nuk do të ketë ndryshime në taksimin e biznesit të vogël. Ai përmendi bonuset për pensionistët dhe bebet e porsalindura si pjesë të programit të mbështetjes sociale, duke shtuar se në buxhetin e ri janë alokuar mbi 145 milionë euro për këtë kategori. Rama gjithashtu theksoi arritjen e uljes së borxhit publik me 15 pikë përqindje dhe rritjen e pagave, duke e çuar pagën minimale nga 156 euro në 400 euro dhe pagën mesatare në 751 euro.
Përsa i përket akuzave se qeveria nuk po mbron shtresat në nevojë, Rama theksoi se fondi për mbrojtjen sociale është dyfishuar që nga momenti kur morën drejtimin e vendit, duke arritur në 248 miliardë lekë për vitin 2025. Ai mbylli fjalën e tij duke theksuar se Shqipëria ka dalë nga kriza dhe është në rrugën e realizimit të ëndrrës europiane, me një shtet që mbledh më shumë të ardhura dhe investon në zhvillim./UBTNews/