UBT News

Rama për takimin me Qeverinë Meloni: Ditë historike do të nënshkruhen 16 marrëveshje

Italia dhe Shqipëria do të zhvillojnë sot një samit të përbashkët në Romë, ku pala italiane shpjegon se organizimi i një samiti ndërqeveritar me Tiranën shërben për të mundësuar një bashkëpunim cilësor dypalësh, përmes planifikimit që do të përfshijë një dimension më të gjerë, më të strukturuar dhe strategjik të marrëdhënieve dypalëshe.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama i ka bërë jehonë takimit mes Qeverisë shqiptare dhe asaj italiane, teksa e cilëson mbledhjen e përbashkët si një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë duke shtuar se gjatë takimit pritet të nënshkruhen 16 marrëveshje që do të forcojnë më tej partneritetin mes dy vendeve.

“Me krenarinë për një tjetër ditë historike në marrëdhëniet ndërkombëtare të Shqipërisë, mbledhjen e parë të përbashkët mes dy qeverive, e cila zhvillohet në Romë për t’i hapur rrugë 16 marrëveshjeve të reja konkrete të bashkëpunimit në kuadër të partneritetit të ngushtë strategjik me fqinjin tonë të çmuar perëndimor, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Takimi do të mbahet në Villa Pamphili, duke nisur në orën 11:30, dhe do të drejtohet nga Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama.

Ky është samiti i parë i këtij niveli midis qeverive të dy vendeve, që synon forcimin e partneritetit strategjik mes Romës dhe Tiranës, me fokus në tre fusha kryesore: mbrojtjen, industrinë dhe emigracionin./S.K/EO/

Exit mobile version