Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar pas protestave dhe akteve të dhunës të dy ditëve të fundit në Tiranë, duke vizituar ambientet e Kolegjit të Evropës, të cilat u dogjën mbrëmjen e kaluar.
Rama deklaroi se dëmet e shkaktuara nuk mund të jenë vepër e studentëve, duke i cilësuar rrënojat si pasojë të veprimeve që, sipas tij, nuk përfaqësojnë të rinjtë.
“Deri dje kjo ishte zyra e Kolegjit të Evropës, shkollës së Evropës së bashkuar që e hapëm në Shqipëri së bashku me udhëheqësit evropianë. Sot kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve”, tha Rama.
Ai theksoi se studentët janë gjithmonë të mirëpritur për dialog dhe diskutim, ndërsa akuzoi opozitën se po përpiqet ta pengojë rrugëtimin evropian të Shqipërisë.
Sipas Ramës, dhuna e ditëve të fundit nuk do ta ndryshojë drejtimin e vendit drejt Bashkimit Evropian.
Kryeministri paralajmëroi gjithashtu se të gjithë personat e përfshirë në aktet e dhunës do të mbajnë përgjegjësi para ligjit.
“Kushdo që mendon se ligji është larg, gabon. Përgjegjësia para ligjit është e secilit dhe gjithkush që ka dorë në këtë katrahurë sigurisht se do ta paguajë”, deklaroi ai.
Rama shtoi se Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt integrimit evropian, duke e cilësuar të ardhmen e vendit si të lidhur me studentët dhe gjeneratat e reja./A.K/
