Kryetari i OSBE-së, kryeministri dhe ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Edi Rama dhe ministrja suedeze e Punëve të Jashtme, Ann Linde, vendi i së cilës do të marrë presidencën e radhës të kësaj organizate, përsëritën një propozim ndërmjetësimi me presidentin bjellorus, Alexandër Lukashenko.
Në këtë letër, një kopje të së cilës AFP e ka marrë sot nga burime të afërta të qeverisë shqiptare, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë shprehet se po ndjek nga afër dhe me shqetësim ngjarjet në Bjellorusi.
“Si kryetarët e tanishëm dhe të ardhshëm në detyrë të Organizatës për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë, ne jemi duke ndjekur nga afër dhe me shqetësim zhvillimet në Bjellorusi. Ne dëshirojmë të përsërisim ofertën tonë për vizitë, për të dëgjuar pikëpamjet mbi situatën dhe për të diskutuar për sfidat aktuale në vend”, shtojnë kryeministri shqiptar, Edi Rama dhe ministrja suedeze e Punëve të Jashtme, Ann Linde.
“Bjellorusia është një anëtare e vlerësuar në organizatën tonë dhe ne jemi të gatshëm të manifestojmë mbështetjen tonë për Bjellorusinë”, theksojnë ata.
Përveç kësaj, kryeministri Edi Rama zhvilloi disa ditë më parë një bisedë telefonike me ministrin e Punëve të Jashtme të Rusisë, Sergei Lavrov për situatën në Bjellorusi.
“Rama dhe Lavrov diskutuan për situatën në Bjellorusi në kontekstin e propozimeve të kryesisë shqiptare të OSBE-së për të kontribuar në dialogun midis autoriteteve dhe opozitës”, sipas një komunikate nga ambasada ruse në Tiranë.
Rama në rolin e kryetarit të OSBE ka shprehur gatishmërinë për të vizituar Minskun dhe për të zhvilluar bisedime më të gjitha palët politike në konflikt.
Lavrov nënvizoi se ishte thelbësore që qytetarët bjellorusë të lejohen t’i zgjidhin vetë çështjet e tyre.
Alexander Lukashenko po përballet me manifestime të përditshme dhe një lëvizje grevash që shpërthyen me thirrje të opozitës. Kjo e fundit hedh poshtë rezultatet e zgjedhjeve presidenciale të 9 gushti që i dhanë fitoren Lukashenkos me 80% të votave./atsh