Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama ka akuzuar nivelin qendror për bllokim të projekteve të kësaj komune. Në një konferencë për media ku prezantoi të arriturat për vitin 2024 dhe planet për vitin aktual, Rama i ka quajtur të paarsyeshme dhe tendencioze veprimet e qeverisë karshi kryeqytetit.
I pari i Prishtinës, Përparim Rama tha se projekti “Unaza e kryeqytetit” po vazhdon të bllokohet nga qeveria, ndonëse siç u shpreh ai komuna i ka siguruar 40% të buxhetit.
“Çështja tjetër me interes shumë të madh për kryeqytetin dhe gjithë Kosovën e cila ka qenë sfidë dhe vazhdon të jetë sfidë është unaza e kryeqytetit, është projekt kyç jo vetëm për kryeqytetin, por për gjithë Kosovën duke përfshirë edhe tashmë që i kemi lojërat olimpike 2030 mesdhetare. Ky projekt i cili e ka koston e 206 milionë eurove është i gatshëm, po ashtu është mundësuar që të jetë pjesë e ndërlidhjeve të lidhjeve mesdhetare të të gjitha rrugëve mesdhetare vazhdon të qëndroj si një projekt i cili nuk përkrahet nga qeveria, përkundër faktit që kemi 40% të buxhetit i cili do të ishte donacion, do të ishte grant megjithatë është kërkuar garancia qeveria dhe kjo nuk është bërë, nuk e shohin si një projekt i cili është me rëndësi të madhe për kryeqytetin apo Kosovën. Lus që në vitin 2025 të kemi një reflektim nga qeveria të investohet në këtë projekt madhor”, deklaroi Rama.
Edhe tuneli “Agim Ramadani” e “ishulli urban” nga Rama po konsiderohen projekte të cilat u penguan nga niveli qendror për tu realizuar.
“Që nga marsi projekti është i përfunduar dhe kemi kërkuar në Qendrën Rajonale të Trashëgimisë Kulturore dhe Institutin e Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve për të siguruar pëlqimin për zhvillimin e punimeve për nënkalimin për tunelin ‘Agim Ramadani’ projekt i cili ka rëndësi jetike për qarkullimin rrugor në kryeqytet dhe jetësimin e zonës historike në kryeqytet kjo kërkesë ende nuk është miratuar pas dy refuzimeve të orkestruara politikisht kjo mbetet praktika më e gjatë që e njeh Kosova në procedurën administrative në mes të organeve shtetëror. Lus që qeveria në ikje tash, apo qeveria e re të reflektojnë dhe të vazhdojnë me këtë projekt madhor. Çështja e ishullit urban kemi zhvilluar projektin e ishullit urban dhe kemi filluar punimet, por jemi bllokuar nga institucionet qendrore. Arsyetimi është totalisht tendencioz i cili ka qëllim zvarritjen e procesit dhe bllokimin e këtij projekti”, theksoi ai.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama theksoi se qeveria ka bllokuar edhe projektin për kampusin sportiv.
“Qeveria është bllokuese ndaj projektit në tërësi. Këto zvarritje për fat të keq janë të paarsyeshme dhe në vazhdimësi e bllokimeve të qëllimshme të projektit veprime këto të cilat po shkaktojnë vonesa në realizimin e këtij projekti sportiv ndonjëherë në Kosovë”, u shpreh kryetari i Prishtinës.
Krahas sfidave, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama shpalosi edhe disa nga sukseset e punës së tij përgjatë vitit që lamë pas.
Sukses historik ai e konsideroi realizimin e 80% të buxhetit komunal.
“Përkundër të gjitha sfidave që kemi, sfida të panevojshme dhe të pakuptueshme me nivelin qendror e me opozitën, kryeqyteti ka thyer rekord këtë vit në realizimin e buxhetit. Që nga fillimi i qeverisjes tonë ka pas rritje të realizimit të buxhetit nga viti në vit. Në vitin 2024 buxheti ka realizim rekord historike me mbi 80%, ndërsa investimet kapitale janë realizuar mbi 63%. Rruga Jim Xhema apo rruga A edhe ky ka pas sfida të mëdha i kemi pas tri ballafaqime në gjykata për të lejuar vazhdimin e kësaj pune e kemi vazhduar dhe po e vazhdojmë dhe do ta përfundojmë deri në fund të këtij viti. Vazhdimi i ndërtimit të kolektorit në Kalabri dhe vazhdimi në rrugën B prapë projekt madhor që vazhdon”, thotë Rama.
Sa i takon telasheve me tollovitë e mëdha në trafik me të cilat po ballafaqohet kryeqyteti, i pari i Prishtinës tha se zgjidhja është ndërtimi i unazës së kryeqytetit.
“748 mijë hyrje në qytet vetëm ata që e përdorin IPKO marrë parasysh edhe ata që e përdorin Valën kemi edhe më shumë hyrje këto janë hyrje-dalje në ditë, 748 mijë nëse e merr vetëm këtë numër parasysh e sheh çfarë impakti të madh do të kishte që ne të fillonim dhe ta përfundonim unazën e kryeqytetit”, theksoi ai.
Në konferencën për medie, i pari i kryeqytetit, Përparim Rama tha se përgjatë vitit 2024 janë ofruar nga shërbimi shëndetësor, 3.4 milionë shërbime, prej tyre mbi 1 milionë analiza laboratorike.
Për problematikën e qenve endacak u tha se deri tani janë adaptuar 600 qenë endacak, derisa kërkesat janë edhe për 1 mijë të tjerë.
Në anën tjetër, Rama para gazetarëve foli edhe për mbështetjen për fermerët, sportistët dhe fushën kulturore në kryeqytet.