Ish-futbollisti i Manchester Cityt, Raheem Sterling, është dënuar me 12 muaj burgim me kusht, pasi ka pranuar fajësinë për vozitje të rrezikshme nën ndikimin e oksidit të azotit.
31-vjeçari është paraqitur të mërkurën para Gjykatës së Magjistraturës në Basingstoke të Anglisë, ku përveç dënimit me burgim me kusht, i është shqiptuar edhe ndalesë dyvjeçare për drejtimin e automjetit. Gjithashtu, ai është urdhëruar të kryejë 100 orë punë në shërbim të komunitetit.
Ngjarja ka ndodhur më 28 maj të këtij viti, kur Sterling po drejtonte një veturë Lamborghini në Angli.
Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, futbollisti ishte parë duke thithur oksid azoti përmes një balone, ndërsa automjeti i tij po lëvizte në mënyrë të rrezikshme, duke ndërruar vazhdimisht korsitë dhe duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.
Pamjet e kamerave të automjeteve kanë dëshmuar se Lamborghini kishte kaluar disa herë nga njëra korsi në tjetrën, përpara se të përplasej me një objekt në anë të rrugës.
Sterling kishte pranuar fajësinë në shtator për vozitje të rrezikshme, posedim të oksidit të azotit me qëllim të inhalimit të paligjshëm dhe refuzim për të dhënë mostër gjaku për analiza.
D.L
