Në ndeshjen e xhiros së 31-të të Serie A, e cila u zhvillua në ditën e djeshme ndërmjet Udineses dhe Romës, mbrojtësi i skuadrës kryeqytetase, Evan Ndicka u shtri në tokë pas problemeve me zemër, ndonëse për fat të mirë nuk e humbi vetëdijen për asnjë moment.
Futbollisti u dërgua menjëherë në spitalin e qytetit të Udineses, teksa më parë edhe në stadium i ishin kryer disa ekzaminime lidhur me shqetësimin që kishte pasur.
Tani më, gjendja e mbrojtësit nuk duket aq shqetësuese, megjithatë pritet që në vazhdim të kryhen të gjitha kontrollet e nevojshme, para se të vendoset për largimin nga spitali.
Ndërkohë edhe pjesa tjetër e skuadrës së Romës kanë zbarkuar në spital me autobusin e klubit, pasi kanë kërkuar që të jenë pranë bashkëlojtarit të tyre në këto momente të vështira për shëndetin e tij.
Sfida mes Udineses dhe Romës u ndërpre në minutën e 71-të, pasi tronditja ishte e madhe dhe futbollistët verdhekuq nuk dëshironin të vazhdonin lojën./UBTNews/