UBT News

Qyteti kinez del nga izolimi njëmujor

Kina më 24 janar ka hequr izolimin njëmujor në qytetin Xi’an, që ka 13 milionë banorë, dhe ka urdhëruar testimin e 2 milionë qytetarëve në Pekin. Këto masa po ndërmerren më pak se dy javë para se të nisin Lojërat Olimpike Dimërore, që do të mbahen në kryeqytetin kinez.

Izolimi në qytetin verior Xi’an, që është një qendër e madhe industriale, u hoq një ditë pas rifillimit të fluturimeve komerciale nga ky qytet.

Në Pekin, ku më 4 shkurt do të nisin Lojërat Olimpike Dimërore, rreth 2 milionë banorë të qarkut Fengtai janë urdhëruar që t’iu nënshtrohen testeve, pasi janë regjistruar një sërë rastesh me koronavirus.

Autoritetet u thanë qytetarëve në disa pjesë të Pekinit, që konsiderohen me rrezik të lartë të infektimit, që të mos largohen nga qyteti, pasi në qarkun Fengtai u regjistruar 25 raste me sëmundjen COVID-19, ndërkaq 14 të tjera u regjistruan në qarqe të tjera.

Olimpiada do të mbahet nën rregulla të ashpra kundër pandemisë, teksa atletëve po iu kërkohet që të vaksinohen ose t’i nënshtrohen izolimit pas arritjes në Kinë.

Ndërkaq, drejtori i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për rajonin e Evropës tha se varianti Omicron i koronavirusit e ka vendosur pandeminë në një fazë të re, duke e bërë “të besueshme” që ky variant mund t’i japë fund pandemisë në kontinent.

Epidemiologu kryesor amerikan, Anthony Fauci ka shprehur optimizëm të ngjashëm, duke i thënë transmetuesit amerikan ABC, se rastet me COVID-19 po bien ndjeshëm në pjesë të Shteteve të Bashkuara dhe “gjërat po duken mirë”.

Drejtori i OBSH-së për Evropën, Hans Kluge, tha se pasi të ulen rastet nga vala e Omicronit që ka përfshirë mbarë Evropën “do të ketë disa javë apo muaj të imunitetit global, qoftë falë vaksinimit ose sepse njerëzit kanë imunitet” për shkak të infeksionit. Ai tha se edhe ndryshimi i stinës do të jetë gjithashtu një faktor.

Por, Kluge tha se është ende herët për të përcaktuar nëse COVID-19 mund të cilësohet si endemi dhe paralajmëroi se variante të reja të virusit mund të dalin.

“Endemia nënkupton… se është e mundshme të parashikohet se çfarë do të ndodhë. Ky virus na ka befasuar më shumë se një herë, prandaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm”, tha Kluge.

Exit mobile version