Ministri i Shëndetësisë, Rifat Latifi së bashku me personelin e tij mori sot pjesë në ceremoninë e pranimit të 675 shtretërve spitalor nga Agjencia japoneze për Bashkëpunim Ndërkombëtar (JICA), në në kuadër të Projektit për Zhvillimin e Kapaciteteve Kundër Sëmundjeve Infektive, përfshirë këtu edhe COVID-19.
Shteti japonez ndër vite ka ndihmuar Kosovën me asistencë teknike, trajnim të menaxherëve në Japoni, dhurimit të terapisë Favipiravir për trajtimin e pacientëve me COVID-19 në fillim të pandemisë, pajisjeve spitalore, ndihmës në fushatën për vaksinim e tani edhe me shtretër spitalor.
I ngarkuari me punë i Ambasadës së Japonisë në Kosovë, Yamanka Keisuke tha se furnizimi me shtretër spitalor për QKUK është pjesa e dytë e implementimit të projektit që kap vlerën prej 846 mijë eurove apo 110 milionë yenëve japonezë. Kurse ministri Latifi falënderoi Japoninë për mbështetjen e vazhdueshme.
“Kontributet si ky, do ta kenë ndikimin e drejtpërdrejt në cilësinë e shërbimeve dhe kujdesit shëndetësor dhe ne ju falënderojmë edhe një herë për mbështetjen konkrete dhe të vazhdueshme për shëndetësinë tone”, u shpreh ministri Latifi në ceremoni./UBTNews