Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka përfunduar verifikimin e pronësisë së oborrit të saj dhe ka paralajmëruar se së shpejti do të nisë lirimin e hapësirave të uzurpuara prej shumë vitesh, duke rrënuar objektet e ndërtuara pa leje.
Ky hap vjen pas punës së një komisioni të posaçëm të formuar në mars të këtij viti, i cili në bashkëpunim me Drejtorinë e Kadastrit të Komunës së Prishtinës, përmes ortofotove dhe planeve kadastrale, ka vërtetuar gjendjen pronësore. “Sipas të dhënave kadastrale, brenda oborrit të QKUK-së nuk figuron asnjë pronë private”, thuhet në njoftimin zyrtar të këtij institucioni.
Para marrjes së vendimit për ndërhyrje, institucioni u ka dërguar dy njoftime zyrtare shfrytëzuesve të lokaleve afariste dhe kioskave që veprojnë brenda këtij perimetri, duke kërkuar dëshmi mbi bazën ligjore të shfrytëzimit të hapësirave.
Megjithatë, nga QKUK-ja bëhet e ditur se asnjëri prej shfrytëzuesve nuk ka paraqitur certifikatë pronësie apo dëshmi se objekti është në proces legalizimi, ndërsa dokumentet e dorëzuara kanë rezultuar të jenë kontrata të skaduara dhe aktvendime të paregjistruara në kadastër.
Procesi i lirimit të këtyre hapësirave ka marrë mbështetje edhe në terren nga Inspektorati i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), i cili gjatë inspektimeve të ditëve të fundit i ka vërtetuar të njëjtat gjetje.
“Me konfirmimet kadastrale dhe rekomandimet zyrtare si nga Inspektorati Komunal, ashtu edhe nga ai i MMPHI-së, menaxhmenti i QKUK-së tashmë ka në dorë të gjitha instrumentet ligjore dhe do t’i përdorë për t’ua kthyer pacientëve e qytetarëve pronën publike”, ka theksuar ky institucion. /E.A/
