UBT News

Qeveria themelon Këshillin Shtetëror për 28-vjetorin e UÇK-së dhe miraton projektligjet me prioritet për vitet 2026–2028

Në mbledhjen e saj të dytë, Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar një sërë vendimesh dhe projektligjesh që synojnë forcimin e administratës, zhvillimin ekonomik dhe integrimin ndërkombëtar të vendit. Një nga vendimet kryesore është themelimi i Këshillit Shtetëror për shënimin e 28-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Kryesues i këshillit do të jetë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, me bashkëkryesues Andin Hotin, ministër për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, ndërsa anëtarë të tjerë janë kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, gjenerali Bashkim Jashari dhe drejtori i Policisë, Gazmend Hoxha.

Nga një përfaqësues janë gjithashtu edhe organizatat e dala nga lufta e UÇK-së, Zyrës së Presidentes, Kuvendit, Zyrës së Kryeministrit dhe Asociacioni i Komunave. Këshilli ka për qëllim organizimin dhe koordinimin e aktiviteteve përkujtimore për këtë përvjetor historik.

Në kuadër të agjendës ligjore, Qeveria ka miratuar Projekt-programin e projektligjeve për vitet 2026–2028, duke vendosur si prioritet procedimin e Projektligjit për Byronë shtetërore për konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe Projektligjit të ri për çmimet tavan, të cilat sipas kryeministrit Albin Kurti janë masa kyçe për rritjen e transparencës dhe kontrollin e ekonomisë.

Po ashtu, janë miratuar projekt-rregullorja për fushat e përgjegjësisë administrative të ministrive dhe Projekt-programi i vlerësimit Ex-Post të Akteve Juridike, që synon përmirësimin e cilësisë së legjislacionit dhe efektivitetin e procedurave administrative.

Në fushën e marrëdhënieve ndërkombëtare dhe arsimit, qeveria ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për qasje në arsimin e lartë dhe pranim për studime në Ballkanin Perëndimor, si dhe Projektligjet për ratifikimin e amendamenteve Nr. 2 dhe Nr. 3 të marrëveshjeve financiare me Bashkimin Evropian për programet IPA 2017 dhe IPA 2018. Këto hapa synojnë thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe integrimin e Kosovës në projekte ndërkombëtare zhvillimore.

Në nivel lokal, Qeveria ka vendosur themelimin e ndërmarrjeve publike lokale “Fushë-Kosova” Sh.A. në Fushë-Kosovë dhe “Eko Drenasi” Sh.A. në Drenas, duke synuar përmirësimin e shërbimeve publike dhe menaxhimin e infrastrukturës lokale. Po ashtu është miratuar edhe projekt-rregullorja për procedurën e shqyrtimit administrativ të akteve të komunave, për të përmirësuar transparencën dhe efikasitetin e procesit administrativ.

 

 

Exit mobile version