Njohësi i çështjeve ekonomike, Safet Gërxhaliu, ka thënë se qeveria Kurti me urgjencë duhet ta hartojë një pako të re të rimëkëmbjes ekonomike.
Ai ka thënë për gazetën “Epoka e re” se Kosovës do t’i duhet dyfishi i kohës së vendeve të rajonit sa i përket rimëkëmbjes ekonomike pas Covid-19.
“Nëse vendeve të rajonit i nevojiten dy ose tri vjet për t’u rimëkëmbur nga pandemia, atëherë Kosovës i duhet dyfishi i kësaj periudhe. Në këtë drejtim nuk duhet që Kosova të shndërrohet në hapësirë eksperimentale”, ka deklaruar Gërxhaliu, cili ka bërë thirrje për hartimin e një pakoje të re të rimëkëmbjes ekonomike. “Apeli im do të ishte për qeverinë Kurti që, në rend të parë, ta hartojë një strategji apo një pako të re të rimëkëmbjes dhe tek atëherë të mendohet për masat. Besoj që në këtë drejtim janë duke punuar ekspertë të fushave ekonomike. Tani është koha për një pako gjithëpërfshirëse ku askush s’ka mundësi të përfitojë në baza selektive. Në këtë drejtim sa më tepër të investohet sot do të jetë më lehtë procedura për sanim”, është shprehur ai.
Sa i përket raportit të Bankës Botërore, se rritja ekonomike në vitin 2021 do të jetë prej 4-përqindësh, Gërxhaliu ka shprehur skepticizëm rreth kësaj shifre.
“Nuk pajtohem me raportin e Bankës Botërore që Kosova në vitin 2021 do të ketë rritje 4 për qind. Kosovës do t’i duhen dy vjet për sanim si pasojë e kësaj pandemie. Realiteti në Kosovë është më ndryshe dhe nevojitet një analizë më ndryshe. Tani për Kosovën është urgjente një pako e re e rimëkëmbjes e cila do të ketë rëndësi të pakontestuar në aspektin ekonomik, social dhe zhvillimor. Mbi të gjitha, edhe në aspektin psikologjik dhe emocional, në mënyrë që qytetarët ta ndiejnë dorën e zgjatur të shtetit”, ka thënë Gërxhaliu. Sipas tij, çështja e pandemisë në Kosovë duhet të menaxhohet në katër etapa. “Bota nuk do të jetë siç ka qenë para pandemisë. Duhet të bëhet një riorganizim. Problemi më i madh është se pandemia është politizuar. Më gëzon fakti se, më në fund, Kosova ka institucione stabile dhe se në kabinetin qeveritar ka ekspertë të fushave. Menaxhimi i pandemisë duhet të ndahet në katër etapa. E para skenimi, pastaj planifikimi, vendimi dhe mbështetja”, ka thënë ai.