Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka prezantuar dy projektligje që i ka cilësuar si jetike për qytetarët në mbledhjen e tetë të radhës së ekzekutivit.
Bëhet fjalë për Projektligjin për çmimet tavan për produktet bazë dhe atë për sigurimet shëndetësore, reforma këto që sipas kreut të qeverisë, synojnë mbrojtjen e xhepit dhe shëndetit të qytetarëve.
Sa i përket rregullimit të tregut, Kurti ka theksuar se Ligji për çmimet tavan do të shërbejë si mburojë në kohë krizash ekonomike.
Sipas tij, ky ligj “garanton furnizimin dhe çmime të përballueshme për produktet bazë”, duke u bërë një barrierë kundër abuzimeve në treg. Kryeministri shtoi se përmes kësaj nisme “parandalohen spekulimet dhe fitimet e pajustifikueshme në kurriz të qytetarëve”, si dhe sigurohet një “reagim i shpejtë institucional kur tregu destabilizohet”.
Një risi e këtij ligji, sipas Kurtit, është krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës.
“Për herë të parë krijojmë mekanizëm të pavarur, bordin i cili vendos mbi bazën e të dhënave dhe interesit publik,” u shpreh ai, duke shtuar se mungesa e një rregullimi të tillë deri më tani u ka kushtuar shtrenjtë qytetarëve.
Në anën tjetër, mbledhja e qeverisë shënoi edhe rikthimin e një prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë.
Kurti bëri të ditur se po e risjellin Projektligjin për sigurime shëndetësore, i cili ishte sfiduar më parë në Gjykatën Kushtetuese nga opozita.
“Sot po ashtu po e risjellim edhe një tjetër ligj jetik për qytetarët dhe shëndetësinë publike,” tha Kurti, duke nënvizuar se qeveria do t’i qëndrojë besnike premtimeve të dhëna. Ai e cilësoi këtë nismë si një shtyllë të fortë për shtetin, duke deklaruar se: “Kjo reformë e bën shtetin më të fortë në përmbushjen e detyrimit themelor në mbrojtjen e jetës së qytetarëve”.
Këto dy projektligje tani pritet të kalojnë në procedurat e mëtutjeshme parlamentare, ku pritet të ketë debate mes pozitës dhe opozitës.
