UBT News

Qeveria prezanton projektbuxhetin për vitin 2027, parashihen 4.27 miliardë euro

Qeveria e Kosovës ka prezantuar projektbuxhetin për vitin 2027, i cili kap vlerën e 4.27 miliardë eurove.

Kryeministri Albin Kurti bëri të ditur se projektbuxheti i vitit të ardhshëm është 200 milionë euro më i lartë se buxheti i rishikuar për vitin 2026 dhe 300 milionë euro më i lartë se buxheti fillestar i këtij viti.

Nga shuma e përgjithshme, 908 milionë euro parashihen të ndahen si financim i drejtpërdrejtë për komunat e Kosovës.

Gjatë prezantimit, Kurti tha se rritja e vazhdueshme ekonomike ka ndikuar në zgjerimin e buxhetit dhe në qëndrueshmërinë e financave publike.

Sipas tij, ekonomia e Kosovës ka shënuar rritje prej 5.4 për qind në tremujorin e parë dhe 4.1 për qind në tremujorin e dytë të këtij viti.

“Kjo na vendos te vendet me rritjen më të shpejtë në rajon dhe më gjerë. Kjo nënkupton edhe rritjen në vazhdimësi të buxhetit dhe qëndrueshmërinë e financave publike”, deklaroi Kurti.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se, sipas projektbuxhetit për vitin 2027, Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) parashihet të mbledhë të hyra në vlerë sa 60 për qind e të hyrave që pritet t’i mbledhë Dogana e Kosovës.

Kurti e cilësoi projektbuxhetin si rekord edhe për komunat, duke theksuar se rritja e financimit për pushtetin lokal vjen si rezultat i rritjes së vazhdueshme të granteve qeveritare.

Pas miratimit në Qeveri, projektligji për buxhetin e vitit 2027 pritet t’i procedohet Kuvendit të Kosovës për shqyrtim dhe votim.

/A.K/

Exit mobile version