Punëtorët teknikë dhe ata të sigurimit tash e një kohë janë në grevë nëpër të gjitha institucionet shëndetësore në vend, duke kërkuar pagesë shtesë gjatë pandemisë nga Qeveria.
Se greva po vazhdon e ka konfirmuar edhe kreu i Sindikatës së Sektorit Privat, Jusuf Azemi, i cili për Ekonomia Online ka treguar se punëtorët po e respektojnë grevën në përpikëri.
“Punëtorët teknikë dhe të sigurimit po vazhdojnë me grevën e tyre ashtu sipas vendimit që është marrë në Kryesinë Ekzekutive të Sindikatave të Pavarura të Sektorit Privat të Kosovës që do të thotë se të gjithë punëtoret janë duke e respektuar grevën me përpikëri”, deklaroi ai.
Grevën këtyre punëtorëve tashmë nuk po ua ndalon askush, ani pse ditëve paraprake sipas Azemit ata edhe janë kërcënuar nga drejtorët.
“Në ditët e para kemi pasur një presion nga drejtorët e qendrave spitalore dhe të mjekësive familjare por tani me kalimin e kohës gjithçka është në nivel dhe nuk kemi ndonjë presion te punëtorët. Pronarët e kompanive po bashkëpunojnë jashtëzakonisht me sindikatën dhe me punëtorët. Është hera e parë në historinë e Sindikatës sonë. Kemi pasur kërcënime në komunën e Pejës por tash gjthëçka po shkon mirë”, shtoi ai.
Azemi ka treguar për EO se pa marrë parasysh që ata janë dakorduar me kryeministrin Avdullah Hoti e zëvendëskryeministrin Driton Selamanaj se mjetet do t’u dalin këtyre punëtorëve, akoma nuk ka diçka në këtë drejtim.
“Që nga takimi i parë me ministrinë e shëndetësisë ne prapë jemi dakorduar që kjo pagesë të fillojë menjëherë pas një marrëveshje gojore ka qenë një afat 24 orësh që ai është obliguar që ta bëjë marrjen e vendimit për daljen e këtyre mjeteve. Ndërkohë nuk kemi pasur ndonjë takim përkundër asaj që ne kemi kërkuar. Kemi pasur takim me kryeministrin e zëvendëskryeministrin e Kosovës dhe të dy janë dakorduar që ta shtyjnë procesin përpara por megjithatë çka ngeci unë di dhe tash për tash nuk kemi lëvizje”, potencoi ai.
Kreu i sindikatës poashtu njoftoi se tashmë të drejtat e punëtorëve do t’i kërkojnë përmes ligjit, ku edhe kanë angazhuar një avokat.
“Planet tona janë në tri rrugë: jemi të hapur për nënshkrim marrëveshje sepse për bisedime nuk kemi çfarë të bisedojmë më, pra në raport me qeverinë apo ministrinë e shëndetësisë. Plani dy për kohën e festave mund të ndryshojmë diçka për rrjedhën e grevës. Dhe plani tre që nga sot ne jemi në marrëveshje për angazhimin e një avokati që në mënyrë ligjore të kërkojmë të drejtën tone”, ka përfunduar Jusuf Azemi për EO.