Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar mbrëmë gjashtë vendime gjatë një mbledhjeje elektronike, të cilat prekin programin legjislativ, emërimet në pozita të larta drejtuese dhe ndarjen e mjeteve buxhetore.
Sipas njoftimit të ekzekutivit, në këtë mbledhje është miratuar ndryshimi dhe plotësimi i Programit të Projektligjeve për periudhën 2026–2028. Po ashtu, kabineti qeveritar ka miratuar vendimin për korrigjimin e vendimit të Qeverisë Nr. 10/12, të datës 17 nëntor 2026.
Në kuadër të po kësaj mbledhjeje, Qeveria ka miratuar edhe tre vendime për emërimin e komisioneve të pranimit për kategorinë e lartë drejtuese, konkretisht për këto pozita institucionale:
- Drejtor ekzekutiv në Inspektoratin Qendror të Punës;
- Komisioner për Gjuhët në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës;
- Sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Digjitalizimit dhe Administratës Publike.
Ndërkaq, vendimi i gjashtë i miratuar lidhet me ndarjen e mjeteve buxhetore për mbulimin e mungesës së fondeve për muajin nëntor 2026, në kategorinë e shpenzimeve për paga dhe shtesa. /E.A/
