Qeveria e Kosovës ka miratuar ndarjen e mjeteve buxhetore për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, të cilat pritet të mbahen më 7 qershor 2026. Vendimi është marrë gjatë një mbledhjeje elektronike të zhvilluar mbrëmë, pas kërkesës së dërguar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Sipas njoftimit zyrtar nga Zyra e Kryeministrit, vlera totale e miratuar për këtë proces zgjedhor është 10,887,186 euro. Këto mjete do të përdoren për të mbuluar të gjitha nevojat logjistike dhe organizative për zgjedhjet e reja për Kuvendin e Republikës së Kosovës.
“Qeveria ka miratuar kërkesën e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për ndarjen e mjeteve buxhetore në vlerë prej mbi 10.8 milionë eurove, për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme që do të mbahen më 07.06.2026”, thuhet në komunikatën e ekzekutivit.
Ky vendim vjen si hap i domosdoshëm për të garantuar mbarëvajtjen e procesit elektoral dhe përgatitjet teknike brenda afateve të parapara ligjore.
