UBT News

Qeveria ndan 3 milionë euro për mbulimin e kartonit të gjelbër për mërgatën

Qeveria e Kosovës ka miratuar edhe këtë vit mbulimin e policës kufitare për bashkëatdhetarët që vijnë për vizitë në vendlindje gjatë sezonit veror.

Gjatë mbledhjes së kabinetit qeveritar të mbajtur këtë të mërkurë, ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, bëri të ditur se për zbatimin e kësaj mase janë ndarë tre milionë euro.

“Sikurse në vitet paraprake, edhe këtë vit duke filluar nga muaji korrik e tutje, ne si qeveri ndajmë mjete për të mbuluar policën kufitare apo kartonin e gjelbër për mërgatën tonë që vijnë me vetura. Propozim-vendimi parasheh ndarjen e 3 milionë eurove për zbatimin e masës 4.5 për mbështetjen e mërgatës, në kuadër të pakos për ringjallje ekonomike”, deklaroi Murati, duke sqaruar se këto mjete transferohen direkt në dikasterin që ai udhëheq.

Përveç lehtësirave për diasporën, në këtë mbledhje u miratuan edhe 13 pika të tjera të rendit të ditës. Ndër to vlen të theksohet shqyrtimi i nismës për Marrëveshjen e Grantit që synon forcimin e sistemit shëndetësor në Kosovë.

Po ashtu, ekzekutivi ka aprovuar ndarjen e buxhetit për financimin e disa projekteve kapitale në komunat: Mitrovicë e Jugut, Shtime, Pejë dhe Podujevë. /E.A/

Exit mobile version