Qeveria në detyrë e Kosovës ka ndarë 100 mijë euro për mbështetjen e realizimit të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër “DokuFest”.
Vendimi është marrë në mbledhjen e 32-të të Qeverisë, të mbajtur më 13 gusht 2026.
Sipas Qeverisë, mbështetja financiare për DokuFestin konsiderohet investim në promovimin ndërkombëtar të Kosovës, pasi festivali çdo vit sjell në Prizren artistë, profesionistë të industrisë së filmit, media dhe vizitorë nga vende të ndryshme të botës.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se DokuFesti krijon mundësi për prezantimin e kulturës, krijimtarisë dhe identitetit të Kosovës para publikut ndërkombëtar.
Qeveria vlerëson se festivali, përmes shtrirjes dhe reputacionit të tij ndërkombëtar, kontribuon edhe në promovimin e Kosovës si vend me skenë të zhvilluar kulturore, potencial turistik dhe kreativ, si dhe në diplomacinë publike e kulturore të vendit.
Në të njëjtën mbledhje, Qeveria ka miratuar edhe vendime për emërimin e komisioneve të pranimit për pozita të larta drejtuese në institucione dhe agjenci të ndryshme shtetërore./A.K/
