UBT News

Qeveria miraton Projektligjin për Çmimet Tavan

Lajm në zhvillim:

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot me 3 prill ka miratuar edhe Projektligjin për masat e përkohshme të produkteve bazë në raste të veçanta të destabilizimit në treg, një nismë kjo që synon të vendosë kontroll mbi rritjen e pakontrolluar të çmimeve.

Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Mimoza Kusari-Lila, bëri të ditur se ky ligj vjen si mbrojtje direkte për qytetarët, duke u fokusuar veçanërisht te produktet esenciale.

Gjatë prezantimit, ministrja theksoi se pas vërejtjeve të mëparshme, projektligji marrë parasysh rekomandimet e Gjykatës Kushtetuese.

Sipas saj, ligji i ri do të operojë përmes dy masave kryesore: caktimin e marzhës tregtare (fitimit të lejuar) për shitësit me shumicë e pakicë dhe përcaktimin e çmimit maksimal për produktet bazë.

“Ky projektligj ka për qëllim të përcaktojë kornizën ligjore për vendosjen e masave të përkohshme dhe proporcionale për produktet themelore,” deklaroi Kusari-Lila, duke shtuar se synimi kryesor mbetet mbrojtja e interesit publik në kohë krizash.

Në kuadër të këtij ligji është edhe krijimi i një mekanizmi të ri mbikëqyrës që garanton paanësi në vendimmarrje.

Bord i Pavarur Institucional do të jetë përgjegjës për menaxhimin e situatave kur tregu pëson luhatje të theksuara dhe ky bord do të emërohet direkt nga Kuvendi i Kosovës dhe do t’i raportojë atij për çdo masë të ndërmarrë, sipas ministres.

Ministrja përfundoi duke thënë se ky ligj do të parandalojë spekulimet në treg që bëhen në kurriz të konsumatorëve. Tashmë, projektligji pritet të kalojë në Kuvend për shqyrtim dhe miratim final, duke i dhënë shtetit mjetet e nevojshme ligjore për të ndërhyrë sa herë që stabiliteti i çmimeve rrezikohet.

 

Qeveria miraton Projektligjin për Sigurime Shëndetësor; Vitia: Synojmë qasje universale dhe cilësi në shërbime

Ekzekutivi i Kosovës i ka dhënë “dritën e gjelbër” Projektligjit për Sigurimet Shëndetësore gjatë mbledhjes së mbajtur këtë mëngjes.

Pas prezantimit nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ky projektligj është miratuar për procedim të tutje, duke shënuar një hap drejt njërës prej reformave më të diskutuara në sektorin e shëndetësisë publike.

Gjatë fjalimit të tij, ministri Vitia vuri theksin te rëndësia e kësaj nisme pas një periudhe të gjatë sfidash. Ai bëri të ditur se për hartimin e tij janë analizuar mangësitë e sistemit aktual dhe janë studiuar praktikat ndërkombëtare për të krijuar një ligj që i përgjigjet realitetit ekonomik dhe social në vend.

“Është me rëndësi të veçantë të theksoj që ky projektligj vjen pas një periudhe të gjatë sfidash dhe diskutimesh,” u shpreh ministri Vitia, duke shtuar se synimi është krijimi i një ligji të zbatueshëm që u përgjigjet nevojave të qytetarëve.

Sipas ministrit, ky projektligj rregullon disa çështje kyçe që prekin drejtpërdrejt popullatën:

  • Gjithëpërfshirja: Ligji synon qasje universale për të gjithë qytetarët dhe ngritjen e cilësisë së shërbimeve.
  • Financimi: Rregullohen kontributet për sigurime si burim shtesë financimi, krahas buxhetit aktual.
  • Paketa e përfitimeve: Parashihet një paketë adekuate shërbimesh që do të përditësohet çdo vit.

Ministri Vitia sqaroi se ligji siguron kushte të barabarta për të gjithë dhe rregullon mbarëvajtjen e sistemit.

“Ky ligj e përfshin gjithë popullatën duke synuar qasje universale dhe ngritjen e cilësisë në shërbimet shëndetësore,” deklaroi ai, duke nënvizuar se përmes këtij rregullimi do të ketë një performancë më të lartë në të gjithë sistemin shëndetësor në Kosovë.

Miratimi i këtij projektligji në Qeveri konsiderohet si një kthesë drejt funksionalizimit të sigurimeve shëndetësore, proces ky që ka qenë pezull prej vitesh.

Exit mobile version