Një hetim i pavarur ka ngarkuar me përgjegjësi qeverinë malteze për vrasjen e gazetares Daphne Caruana Galizia.
Hetimi tha se autoritetet malteze kishin krijuar një “kulturë mosndëshkimi” që çoi në vrasjen e gazetares.
Caruana Galizia u vra me një bombë teksa po udhëtonte me makinë në tetor 2017. Ajo dyshohej se po hetonte korrupsionin në një biznes të lidhur me një sipërmarrësin e majmë, Yorgen Fenech.
Fenech – i cili ka pasur lidhje të afërta me qeverinë – është akuzuar si organizatori i dyshuar i vrasjes. Ai ka mohuar çdo përgjegjësi.
Të enjten, një komision hetimor tha se megjithëse qeveria e Maltës nuk luajti një rol të drejtpërdrejtë, ajo nuk kishte arritur ta mbronte gazetaren Caruana Galizia nga kërcënimet me jetë.
Raporti tha gjithashtu se vrasja e saj ishte e lidhur qartë me punën që bënte, ndërsa theksohet se “kultura e mosndëshkimit” u rrit ndjeshëm në periudhën para vitit 2017 duke çuar në “zbehjen e sundimit të ligjit”.
Pas trysnisë së fortë nga Bashkimi Evropian, hetimi publik për vrasjen e gazetares Galizia nisi në qershor të vitit 2019 dhe gjatë kësaj periudhe u kryen 93 seanca dëgjimi ekspertësh dhe dëshmitarësh. Rezultatet u njoftuan sot nga kryeministri i Maltës Robert Abela përmes një postimi në Twitter.
Për vrasjen e Galizias gjykatat kanë dënuar me 15 vite burg një person, ndërsa dy të tjerë, të cilët akuzohen se vunë bombën në makinë, janë ende në gjykim.
Ish-kryeministri Joseph Muscat u dërhoq në janar 2020 pasi biznesmeni Fenech u arrestua dhe vendi u përfshi nga protestat. Sidoqoftë Muscat nuk është akuzuar asnjëherë për asgjë në lidhje me çështjen.
Përmes një postimi në Facebook, Muscat u përpoq të distanconte qeverinë e tij nga etiketimi në raport si “qeveri që promovoi pandëshkueshmërinë”. Ai tha se arrestimi i të dyshuarve pak muaj pas vrasjes dëshmon të kundërtën./euronews.al