Qeveria e Kosovës ka vendosur të ndalojë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe. Në mbledhjen e mbajtur të hënën, kryeministri Albin Kurti ka deklaruar se ky vendim vjen si kundërmasë ndaj Serbisë, e cila prej gjashtë vjetësh po bllokon linjat ndërkufitare për tregtim.
Ndalimi përfshin blerjen, shitjen, importin dhe eksportin e energjisë elektrike, qoftë drejtpërdrejt, qoftë përmes transitit ose rishitjes në një apo më shumë shtete të treta.
“Së pari do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompanitë serbe si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në të ardhmen nëse nuk ka reflektim”, ka theksuar Kurti.
Për t’u përballur me vështirësitë e krijuara si pasojë e veprimeve të Serbisë, ai ka bërë të ditur se do të obligohet Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) që të sigurojë një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, ndërsa do të vendosen edhe masa emergjente në sektorin e energjisë, të cilat përfshijnë obligimin e ndërmarrjes “Ibër-Lepenci” për ta shitur energjinë e shërbimit publik.
Sipas kryeministrit, në muajin dhjetor bëhen gjashtë vjet prej kur Kosova ka fituar pavarësinë energjetike, dhe që nga ajo kohë Serbia po bllokon alokimin komercial dhe tregtimin në linjat ndërkufitare me Kosovën, duke shkaktuar dëme financiare dhe duke rrezikuar furnizimin me energji.
“Bllokimi i linjave nga ana e Serbisë nuk na pengon sepse duam të blejmë energji nga Serbia, por ajo pamundëson shfrytëzimin e kësaj infrastrukture kritike për të sjellë energjinë transit nga Serbia”, është shprehur Kurti. /E.A/
