Programi më prestigjioz i bursave në Arsimin e lartë të Qeverisë Hungareze, Stipendium Hungaricum, po ofron një gamë të gjerë kursesh për studentët ndërkombëtarë me rekord të shkëlqyer akademik.
Si rezultat i kësaj, për vitin akademik 2021/2022, për studentët kosovarë, janë ndarë 139 bursa në kuadër të këtij programi, njofton Klankosova.tv.
Nga ambasada hungareze thonë se bursa synon të mbështesë ndërkombëtarizimin e arsimit të lartë hungarez dhe zhvillimin e tij të vazhdueshëm, të forcojë marrëdhëniet ndërkombëtare të komunitetit akademik dhe kërkimor dhe të promovojë reputacionin e mirë dhe konkurrencën e arsimit të lartë hungarez në të gjithë botën.
Ndryshe që nga 2016-ta, vit i fillimit të këtij programi në Kosovë, 282 studentë kosovarë përfituan bursën Stipendium Hungaricum.
Ambasadadori i Hungarisë, Jozef Bencze, ka ftuar në ambasadë, bursistët dhe të gjithë studentët alumni që studiuan atje në vitet e mëparshme.
Së bashku me ministren e Arsimit Arbërie Nagavci, ata përshëndetën studentët që kanë filluar tashmë studimet bursiste, dhe 74 studentët që do të fillojnë studimet në Hungari në shtator 2021.
Ambasadori Bencze dhe Ministrja Nagavci janë angazhuar gjithashtu për të themeluar Klubin Hungarez të Alumni të Kosovës, i dedikuar për të zhvilluar – në të gjithë rrjetin e ish studentëve – marrëdhëniet dypalëshe midis Hungarisë dhe Republikës së Kosovës.