UBT News

​Qeveria bart 904 mijë euro për subvencionet e efikasitetit të energjisë

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar bartjen e 904 mijë eurove nga pakoja për përballje me krizën energjetike, fonde këto që vijnë nga Bashkimi Evropian, për të përmbyllur disbursimin e subvencioneve në kuadër të Pakos së Mbështetjes Energjetike (IPA 2023).

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, njoftoi se këto mjete do të shërbejnë për disbursimin e subvencioneve për pajisje efiçiente ngrohëse të aprovuara nga Ministria e Ekonomisë, si dhe për trajtimin e listës së pritjes për izolimin e shtëpive nga Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë.

Ministria e Ekonomisë dhe Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë kanë premtuar se do të ndërmarrin të gjitha hapat e nevojshëm për realizimin sa më të shpejtë të këtyre procesve.

Që nga viti 2022, përmes masave të Ministrisë së Ekonomisë dhe mbështetjes së Bashkimit Evropian, janë përkrahur mbi 43 mijë familje dhe biznese në Kosovë me mbi 19.6 milionë euro, duke ulur kostot e energjisë dhe përmirësuar kushtet e jetesës.

Ministria e Ekonomisë falënderoi Bashkimin Evropian për partneritetin e vazhdueshëm dhe mbështetjen që bën të mundur realizimin e këtyre programeve të rëndësishme për qytetarët./S.K/KP/

Exit mobile version