UBT News

Qëndrimet e Raisit, presidentit të ardhshëm të Iranit

Kleriku i linjës së ashpër, Ebrahim Raisi është shpallur fitues i zgjedhjeve presidenciale të Iranit, që u mbajtën më 18 qershor. Procesi zgjedhor u dëmtua nga diskualifikimet nga gara të kandidatëve të moderuar, gjë që i hapi rrugën Raisit drejt presidencës.

Shqetësimet janë rritur, pasi ngritja e Raisit në pushtet mund të sjellë më shumë kufizime shoqërore dhe politike për iranianët, të cilët veçse përballen me kufizime në jetën e tyre, përshirë edhe qasjen e kufizuar në internet dhe censurë.

Presidenca e Raisit ka të ngjarë që të jetë më e ashpër ndaj Perëndimit. Sidoqoftë, duke pasur parasysh nevojën e Iranit që të lehtësojë sanksionet ndërkombëtare, analistët besojnë se Raisi ka të ngjarë që të respektojë marrëveshjen bërthamore të vitit 2015, nëse bisedimet që po zhvillohen në Vjenë sjellin një marrëveshje, e cila do të miratohej nga lideri suprem, Ajatollah Ali Khamenei, i cili ka fjalën e fundit në Iran.

Këto janë disa prej qëndrimeve të Raisit lidhur me politikën e jashtme, censurën në internet dhe çështje të tjera:

Mbi marrëveshjen bërthamore të vitit 2015

“Ne do të jemi të përkushtuar ndaj marrëveshjes bërthamore, si një marrëveshje që është miratuar nga lideri suprem, si për çdo marrëveshje tjetër, ku qeveritë duhet të jenë të përkushtuara”.

Mbi sanksionet e Shteteve të Bashkuara

“Ne do të kërkojmë heqjen e sanksioneve të padrejta. Por, ekonomia nuk duhet të jetë e kushtëzuar dhe jeta e njerëzve nuk duhet të jetë e lidhur me ngjarjet ndërkombëtare”.

“Nëse zgjidhim shumë prej problemeve me të cilat përballet vendi në bazë të zgjidhjeve ekzistuese, siç është rezistenca ekonomike dhe neutralizimi i sanksioneve, ekonomia jonë nuk do të tronditet”.

“Këto sanksione do të krijonin probleme në çdo shtet. Edhe ata që i kanë vendosur sanksionet e kanë pranuar se fushata e presionit maksimal nuk ka pasur ndikim në shtetin tonë dhe kjo fushatë ishte e destinuar që të dështonte, pasi shteti ynë është i vendosur dhe të rinjtë tanë janë aktivë në shumë fusha. Ata dëshironin që të na e ndalonin eksportin e naftës, por nafta u eksportua”.

Mbi raportet e Iranit me botën

“Ne do të bashkëveprojmë me botën, me të gjitha shtetet që duan të kenë raporte me Republikën Islamike. Ne do të vendosim si prioritet raportet me shtetet fqinje”.

“Ne duhet të krijojmë raporte me botën mbi bazën e racionalitetit. Racionaliteti dhe maturia kërkojnë që ne të vendosim në fillim interesat kombëtare. Interesat kombëtare janë thelbësore për ne. Ne fuqishëm besojmë se sanksionet shtypëse duhet të hiqen dhe në këtë drejtim nuk do të kursehet asnjë përpjekje”.

Mbi censurën në internet

Raisi, i cili si kryetar i gjyqësorit ka luajtur rol kyç në censurën online, ka tentuar që të minimizojë shqetësimet mbi kufizimet në internet, edhe pse, siç raportohet, faqja që kontrollon faktet Factnameh, nën udhëheqjen e gjyqësorit nga Raisi, ka parë më shumë kufizime, përfshirë edhe bllokimin e Instagramit.

“(Hapësira kibernetike) duhet të shihet si një mundësi dhe jo si kërcënim. Ajo ka lehtësuar kontaktet, e ka bërë qasjen më të lehtë… Kur ne flasim për filtrimin, është sikur një rrugë që është hapur dhe ata duan që ta mbyllin. Një rrugë e hapur nuk duhet të mbyllet. Shumë njerëz sigurojnë jetesën nga kjo hapësirë. Por, natyrisht, rregullat e rrugës duhet të respektohen. Të drejtat e njerëzve në këtë hapësirë duhet të respektohen dhe privatësia nuk duhet të shkelet. Ne besojmë se hapësira kibernetike duhet të zgjerohet”.

Ushtar i Khameneit

Për dalim nga gruaja e rivalit të Raisit, Abdolnaser Hemmati, gruaja e Raisit, Jamileh Alamolhoda nuk luajti një rol kyç në fushatën e tij. Edhe në ditën e zgjedhjeve, Raisi u pa duke votuar i vetëm. Gruaja e tij, një profesoreshë, nuk u shfaq në fotografitë e publikuara nga mediat iraniane.

Gruaja e Raisit, babai i së cilës ishte lider ultra-konservator i Lutjeve të së Premtes në Mashhad, Ahmad Alamolhoda, ka thënë se përparësia kryesore e burrit të saj është se ai e konsideron veten “ushtar” të liderit suprem, Ajatollah Ali Khameneit, dhe se pikëpamjet e tij për çështjet e grave janë të ngjashme me ato të Khameneit, i cili ka folur publikisht kundër barazisë gjinore.

“Ai e sheh veten si ushtar të liderit suprem dhe diskursi i tij, në këtë drejtim është diskursi i liderit suprem”, ka thënë Alamolhoda. “Ai beson se gratë duhet të marrin drejtimin nëse zhvillimi dhe përparimi bëhet në fushën e grave”.

Raisi “nuk do të ngrehë mure ndërmjet burrave dhe grave”

Një prej dy vajzave të Raisit, Reyhaneh Sadat Raisi gjatë një interviste në televizionin shtetëror është pyetur lidhur me keqkuptimet që iranianët mund të kenë për Raisin. Ajo ka thënë se gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, ku babai i saj u mposht nga presidenti aktual iranian, Hassan Rohani, u përhapën dezinformata për babanë e saj.

“Më 2017, ka pasur përpjekje nga disa njerëz për ta dëmtuar (imazhin e tij), duke thënë se ai do të krijojë një mur në mes grave dhe burrave. Në fakt, ai nuk do të ndërtojë mure ndërmjet burrave dhe grave. Ai do të ndërtojë ura që burrat dhe gratë të bëjnë përparim”, ka thënë Reyhaneh Sadat Raisi.

AI: Raisi duhet të hetohet për krime kundër njerëzimit

Raisi asnjëherë nuk ka folur për rolin e tij në ekzekutimet masive të të burgosurve politikë në vitet e 80-ta, kur thuhet se ka qenë anëtar i të ashtuquajturit “komitet të vdekjes”, organ që merrte në pyetje të burgosurit lidhur me besimin e tyre fetar dhe përkatësinë e tyre politike, përpara se mijëra të burgosur të ekzekutoheshin.

Ja çfarë ka thënë Sekretarja e Përgjithshme e Amnesty International, Agnes Callamard lidhur me përfshirjen e Raisit në ekzekutimet dhe për abuzimet e tjera të të drejtave të njeriut.

“Që Ebrahim Raisi është ngritur për në presidencë në vend se të hetohet për krime kundër njerëzimit të vrasjeve, zhdukjeve të dhunshme dhe torturave, është një përkujtesë e zymtë se pandëshkueshmëria mbizotëron në Iran. Më 2018, organizata jonë ka dokumentuar se si Ebrahim Raisi kishte qenë anëtar i ‘komisionit të vdekjes’, që zhduki me forcë dhe ekzekutoi pa gjyq dhe në fshehtësi mijëra disidentë politikë në burgjet në Evin dhe Gohardasht në afërsi të Teheranit më 1988”.

“Si udhëheqës i gjyqësorit në Iran, Ebrahim Raisi ka udhëhequr një fushatë të shtypjes së të drejtave të njeriut, ku qindra disidentë paqësorë, mbrojtës të të drejtave të njeriut dhe anëtarë të grupeve të përndjekura minoritare, janë arrestuar në mënyrë arbitrare. Nën udhëheqjen e tij, gjyqësori gjithashtu u ka dhënë imunitet zyrtarëve qeveritarë dhe forcave të sigurisë, që janë përgjegjës për vrasjen e paligjshme të qindra burrave, grave dhe fëmijëve dhe që kanë arrestuar qindra protestues, ku të paktën qindra janë zhdukur me forcë, janë torturuar dhe keqtrajtuar gjatë dhe pas protestave mbarëkombëtare të nëntorit të vitit 2019”.

Burimi: Radio Evropa e Lire

Exit mobile version