Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj ka bërë thirrje që të hiqen nga lista e INTERPOL-it, tre zyrtarët e njësive elite. Ai tha se të njëjtit në vitin 2019 kishin përdorur forcën e nevojshme për të arrestuar zyrtarin rus të UNMIK-ut.
Në seancë plenare, Qalaj përmendi tre zyrtarët policorë për të cilët kërkoi mbrojtje.
“Qëllimi pse e mora fjalën është që të bëjë thirrje publike si deputet, si qytetar i këtij vendi, shtetit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës, Ministrisë së Punëve të Brendshme, partnerëve tanë që të bëjnë të pamundurën që këta policë, majori i Policisë së Kosovës Alban Jetullahu, kapiteni Besart Ahmeti, polici i Njësisë Speciale, Faruk Gashi, janë në listën e Interpol-it dhe ata të hiqen sa më shpejt që është e mundur”, deklaroi ai.
Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Rashit Qalaj tha se lajmi për futjen në listën e INTERPOL-it të tre policëve është shqetësues.
“Më 28 maj të vitit 2019 është zhvilluar një operacion policor që ka pasur qëllim luftimin e dukurisë që ishte bërë dukuri e kontrabandës, krimit të organizuar, dhe përfshirjes së disa pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe disa qytetarëve serbë e shqiptarë në aktivitete kriminale. Hetimet ishin zhvilluar për një kohë të gjatë nga hetuesit e policisë kufitare të PK-së dhe hetuesit e Inspektoratit të Policisë së Kosovës. Në fillim të operacionit u plagosën disa policë, u lënduan disa policë, u dëmtuan veturat e Policisë së Kosovës, mirëpo Policia e Kosovës arriti në atë kohë të zhbllokojë të gjitha rrugët dhe të arrestojë një numër mjaft të madh të invovluar në krim dhe të qytetarëve të cilët kanë qenë të involuar në krim. Në ballë të këtyre forcave kriminale serbe dhe turmave serbe ka qenë një zyrtar i UNMIK-ut nga Rusia dhe një zyrtar lokal i UNMIK-ut nga komuniteti serb. Të cilët i kanë prirë turmës kundër Policia së Kosovës duke i keqpërdorur imunitetin që kanë pasur në misionin e Kombeve të Bashkuara. Dhe për më keq, nga vetura e UNMIK-ut është nxjerr një pajisje që ka shërbyer për prerje të drunjve, të cilat janë hedhur në barrikada në rrugën kryesore që shpie për në Zubin Potok. Zyrtari rus i Kombeve të Bashkuara ka refuzuar që të legjitimohet dhe ishte barrikaduar në veturë”, deklaroi ai.
Ai theksoi se zyrtari rus më pas ishte shpallur non-grata nga qeveria, e cila drejtohej nga Ramush Haradinaj.
“Ata kanë marrë udhëzime nga dhoma komanduese se si të veprojnë. Policët që sot janë në listën e INTERPOL-it kanë përdorur forcën e nevojshme, forcën e arsyeshme, forcën e domosdoshme dhe proporcionale për të zbatuar ligjin. Dhe normalisht kanë arrestuar, identifikuar zyrtarin, i cili ka qenë zyrtar i UNMIK-ut apo i kombit rus”, shtoi ai.