UBT News

PZAP: Mbi 20 mijë euro gjoba për kandidatët e parti politike

Mbi 20 mijë euro është shuma e gjobave që Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka shqiptuar për disa kandidatë e subjekte politike gjatë fushatës për zgjedhjet lokale 2025.

PZAP në gjashtë vendime ka shqiptuar gjoba për shkak të shkeljeve të rregullave të fushatës zgjedhore, në mesin e tyre edhe për gjuhë nxitëse dhe të urrejtjes.

Fushata për zgjedhjet lokale tashmë është në ditën e trembëdhjetë dhe do të zgjasë 30 ditë.

Janë 206 kandidatë që po garojnë për udhëheqës të komunave, ndërkaq, janë më shumë se 5600 kandidatë që synojnë ulëse në kuvende komunale.

Vullnet Bugaqku nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) flet për vendimet e deritanishme të PZAP-së dhe gjobat e shqiptuara deri më tani për kandidatë e subjekte politike.

“Deri më tani në këtë moment, me sa vërejta nga platforma e PZAP-së, diku janë rreth gjashtë vendime me gjobë që janë shqiptuar disa kandidatëve dhe subjekteve politike për shkak të shkeljes së rregullave të fushatës zgjedhore. Nga 17 raste që unë evidentova, gjashtë prej tyre janë të vendosura me gjobë. Me shtatë mijë euro gjobë për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse më së shumti deri më tani po prin iniciativa qytetare ‘Skenderaj’ e Sokol Halilit, i njëjti është i dënuar në dy raste nga PZAP për shkak të përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse. Pastaj e dyta është Partia Demokratike e Kosovës, e njëjta për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike apo edhe për gjuhë nxitëse. Në këtë radhë vjen Faton Peci, kandidati për Mitrovicë dhe është i dënuar me 2500 euro gjobë për shkak të bërjes së fushatës në hapësira publike dhe së fundmi është edhe LDK – kandidati për kryetar të Prishtinës, Përparim Rama i gjobitur me gjobë prej 2500 euro për shkak të bërjes së fushatës në institucione publike. Këto janë kategoria e gjobave deri më tani, në total prej 20 mijë e 500 euro gjobë ”, deklaron ai.

Në periudhën e njëjtë të fushatës për zgjedhje nacionale, Bugaqku thotë se ishin shqiptuar mbi 100 mijë euro gjobë.

“Për dallim prej zgjedhjeve parlamentare të datës 9 shkurt, vetëm në 10 ditët e para të atyre zgjedhjeve, PZAP pati shqiptuar diku mbi 100 mijë euro gjobë. Dhe numri i ankesave për gjuhë nxitëse dhe urrejtëse edhe më i madh se tani sa i përket aktualisht fazës së deritanishme. Diku në dy apo tri raste kemi dënimin mbi përdorimin e gjuhës nxitëse dhe urrejtëse, kurse në zgjedhjet parlamentare ju e dini që për 10 apo 12 ditë ka qenë numër i madh i vendimeve që i ka dënuar subjektet politike me gjoba tejet të larta sa i përket përdorimit të gjuhës nxitëse dhe urrejtëse”, shton ai.

Zgjedhjet e lokale në Kosovë mbahen me 12 tetor 2025./S.K/KP/

Exit mobile version