Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës (KMShK) ka organizuar të martën tryezën me temën aktuale: “Lajmet e rrejshme dhe verifikimi i fakteve në mediat online”. Pjesëmarrës në panel ishin: Imer Mushkolaj, drejtor ekzekutiv i KMShK-së, znj. Arlinda Osmanaj nga Misioni i OSBE në Kosovë, znj. Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e grupit “KOHA”, si dhe z. Goran Avramoviq, kryeredaktor në Radio KIM. Pjesë e kësaj tryeze ishin edhe studentët e Departamentit të Mediave dhe Komunikimit në UBT, të monitoruar nga zyrtarja e UBT-së, Albina Zeneli, ku patën mundësinë të diskutojnë për rolin e rëndësishëm që portalet kanë në informimin e publikut.
Mona Ademi, studente e vitit të dytë, parashtroi një pyetje që është aktuale për momentin: “Kur do të ndalen abuzimet me titujt provokativë dhe pamjet e vrazhda nëpër portale në lidhje me Reality Show?”
Edhe studentja Jeta Smaka, në lidhje me temën e tryezës së sotme, shprehu gjithashtu interesim për të kuptuar më tepër rreth rasteve të fundit që Këshilli ka trajtuar si problematika kyçe.
Takimi filloi me disa detaje kryesore, ku drejtori Mushkolaj foli për rolin e Këshillit në raport me luftën e madhe që po bëhet kundër lajmeve të rrejshme (‘Fake News’).
“Ne si Këshill përpiqemi ta kryejmë punën tonë brenda kushteve dhe kornizës sonë. Janë rreth 50 portale anëtare në KMShK dhe kemi arritur të marrim vendime, gjithmonë sipas nesh meritore, duke adresuar çështje të rëndësishme që kanë pasur të bëjnë me lajmet jo të plota. Të gjitha vendimet janë marrë bazuar në Kodin e Mediave të Shkruara të Kosovës, i cili është si Kushtetutë e mediave të shkruara dhe online në vend”, tha mes tjerash Mushkolaj.
Ai ka theksuar që, pavarësisht ndryshimeve teknologjike, lajmi mbetet lajm dhe se në raportimet mbesin rregullat bazike që mësohen në shkollën e gazetarisë.
Po ashtu, kryeredaktorja e grupit KOHA, Brikenda Rexhepi, ndau me të pranishmit një përvojë personale nga viti i kaluar.
“Mua më ka intervistuar një vajzë e një organizate para një viti dhe më tha se kur keni filluar të bëni verifikimin e fakteve, i thashë që 16 vjet unë për vete, por atëherë nuk ka pasur emër kjo nismë,” tha Rexhepi, e cila shtoi se kjo gjë tani është bërë më sfiduese, sepse opinioni po bëhet më pak i edukuar dhe i painformuar.
“Tash komunikimi është më i madh dhe më i lehtë, por me të po rritet edhe keqpërdorimi. Kjo temë lidhet me teknologjinë, sepse njerëzit po qasen në informacion më shpejt, po mendojnë më shpejt dhe po veprojnë shpejt, nuk kanë durim,” përfundoi ajo.
Përndryshe, Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës është një trup vetërregullues i formuar për dhe nga sektori i mediave të shkruara. Misioni i tij mbështetet në bindjet e Kodit të Mediave të Shkruara të Kosovës.
KMShK është themeluar me ndihmën e OSBE-së në Kosovë në shtator të vitit 2005, ndërsa Zyra e KMShK-së aktivitetin e rregullt e ka filluar në dhjetor të vitit 2005. Fjala e lirë, e drejta e qytetarëve për t’u informuar plotësisht dhe me kohë, si dhe respektimi në tërësi i kodit etik të gazetarisë, janë baza mbi të cilën vepron KMShK. Qëllimi i KMShK-së është ta mbrojë qytetarin nga shkrimet e pavërteta, si dhe ta mbrojë gazetarin nga ankesat e pambështetura. /UBTNews/