Rusia ka dërguar trupat e saj atje me kërkesë të presidentit të Kazakistanit. Presidenti Putin dërgoi një paralajmërim të qartë.
Presidenti Vladimir Putin thotë se Rusia dhe aleanca ushtarake e CSTO-së, të cilën e drejton ai, nuk do të lejojnë asnjë destabilizim apo “revolucione me ngjyra” në shtetet e ish-Bashkimit Sovjetik. Kreu i shtetit rus e nënvizoi këtë duke pasur parasysh protestat masive, ndonjëherë të dhunshme, në Kazakistan në një video-konferencë të organizuar nga “Organizata e Traktatit për Sigurinë Kolektive” (CSTO). Kur foli për revolucionet me ngjyra, Putini iu referua kryengritjeve në ish-shtetet sovjetike në dekadat e fundit. Protestat në Ukrainë kundër qeverisjes pro-ruse në 2013/2014 quheshin si “Revolucioni Portokalli”.
Trazirat e fundit në Kazakistan nuk ishin përpjekja e parë e ndoshta as e fundit nga jashtë për të ndërhyrë në rajon, theksoi Putin. Ushtarët rusë u vendosën në Kazakistan për të parandaluar grupet e armatosura që të minonin pushtetin e qeverisë atje, tha Putin. Trazirat buronin nga forcat shkatërruese të brendshme dhe të jashtme. Ata që rrokën armët kishin qëllime të ndryshme nga ata që protestuan fillimisht kundër rritjes së çmimit të karburantit.
Ushtarët rusë të dërguar atje nuk do të qëndrojnë përgjithmonë në vendin fqinj, siguroi presidenti. Ata do të tërhiqen sapo të përfundojnë detyrën e tyre. Me kërkesë të presidentit të Kazakistanit Kassym-Shomart Tokayev, aleanca CSTO ka dërguar 2.500 ushtarë në vendin e Azisë Qendrore. Përveç Rusisë dhe Kazakistanit, aleanca përfshin Bjellorusinë, Armeninë, Kirgistanin dhe Taxhikistanin.
Në video-konferencë, presidenti Tokayev i përshkruan protestat e dhunshme në vendin e tij si një “grusht shteti në tentativë”, të cilin ata e kanë evituar. Kishte pasur sulme të planifikuara dhe të koordinuara në ndërtesat e autoriteteve rajonale, thonë autoritetet. Tani rendi është rivendosur. Por kërkimet për “terroristët” vazhdojnë. Në mesin e sulmuesve ishin gjithashtu edhe ekstremistët islamikë të trajnuar jashtë vendit. Tokaev siguroi se forcat kazake të sigurisë nuk do të “qëllonin kurrë” demonstruesit paqësorë.
Ish-republika sovjetike, e cila kufizohet me Rusinë dhe Kinën, ishte tronditur ditët e fundit nga përleshjet e paprecedenta midis demonstruesve dhe forcave të sigurisë. Protestat, të cilat fillimisht u drejtuan kundër rritjes së çmimit të gazit, u zgjeruan në marshime proteste në të gjithë vendin kundër qeverisë. Përveç demonstratave paqësore, pati edhe trazira të dhunshme, veçanërisht në metropolin Almaty. Tokayev kishte fajësuar “terroristët” të trajnuar jashtë vendit për trazirat dhe lëshoi një urdhër për të qëlluar demonstruesit pa paralajmërim.
Konfuzioni rreth numrit të viktimave të trazirave vazhdon. Tokayev tha se u vranë 16 pjesëtarë të forcave të sigurisë. Por nuk sqaroi sa civilë janë vrarë. Televizioni shtetëror foli për më shumë se 160 viktima të dielën, duke cituar Ministrinë e Shëndetësisë. Ky mesazh u fshi pas pak kohe, pa dhënë ndonjë arsye. Qindra njerëz u plagosën gjithashtu. Sipas autoriteteve, rreth 8.000 njerëz, duke përfshirë shumë shtetas të huaj, janë arrestuar deri tani.DW