Presidenti rus, Vladimir Putin, ka paralajmëruar për hakmarrje të shpejtë nëse shtetet e huaja ndërhyjnë në Ukrainë.
Rusia u ka thënë Shteteve të Bashkuara që të mos dërgojnë armë në Ukrainë, duke thënë se armët që po dërgon Perëndimi janë duke nxitur konfliktin.
Duke folur para ligjvënësve në Shën Petersburg, Putin ka thënë se Perëndimi dëshiron të ndajë Rusinë në copëza të vogla dhe ka akuzuar atë se po e shtyn Ukrainën në konflikt me Rusinë.
“Nëse dikush dëshiron të ndërhyjë nga jashtë për ngjarjet që janë duke vazhduar, dhe të krijojë kërcënime strategjike, që janë të papranueshme për Rusinë, ata duhet ta dinë se sulmet tona hakmarrëse do të jenë të shpejta si rrufe”, ka thënë Putin sipas mediave shtetërore ruse.
“Ne kemi të gjitha mjetet për këtë gjë, mjete që askush nuk i ka tani. Ne nuk do të mburremi, ne do t’i përdorim ato nëse është e nevojshme. Dua që të gjithë ta dinë këtë gjë”.
Pushtimi rus në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.
Për pasojë janë shkatërruar qytete e qyteze dhe mbi pesë milionë njerëz janë detyruar të ikin nga shteti.
Perëndimi është përgjigjur me sanksione dhe dërgim të armëve për Ukrainë për ta forcuar atë në luftën që ka rritur shqetësime se mund të zgjerohet.
Rusia e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” me qëllim të çmilitarizimit të Ukrainës dhe mbrojtjes së këtij shteti nga fashistët.
Ukraina dhe Perëndimi besojnë se ky është arsyetim i rremë për një luftë të paprovokuar, të nisur nga Putin.
Teksa Rusia vazhdon luftën e saj në juglindje të Ukrainës, beteja e saj ekonomike me Perëndimin kërcënon furnizimet me gaz në Evropë dhe rrezikon ta përballë ekonominë ruse me krizën më të rëndë prej vitit 1991, kur ka rënë Bashkimi Sovjetik.
Ukraina ka thënë se Evropa nuk duhet të jetë e varur nga gazi rus, pasi Rusia ka ndalur furnizimet me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë, me arsyetimin se nuk kanë paguar në valutën ruse, rubla.
“Sa më shpejt që secili në Evropë e pranon se nuk mund të jetë i varur nga Rusia për tregti, aq më shpejt do të mund të garantohet stabiliteti në tregjet evropiane”, ka thënë presidenti ukrainas, Volodomyr Zelensky në orët e vona të 27 prillit.
Gjermania, blerësja më e madhe e energjisë ruse, shpreson të ndalë importet e naftës ruse këto ditë, mirëpo ka paralajmëruar se vënia e embargos në energjinë ruse do ta shtynte ekonominë më të madhe të Evropës drejt recesionit.
Kompania ruse e gazit, Gazprom, ka pezulluar furnizimet me gaz për Bullgarinë dhe Poloninë të mërkurën, 27 prill, për shkak se nuk kanë paguar në rubla, siç është kërkuar në një dekret të nënshkruar nga Putini, me qëllim të zvogëlimit të dëmeve nga sanksionet.
Teksa presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka thënë se vendimi i Gazpromit “është një tjetër përpjekje e Rusisë për të përdorur gazin si instrument për shantazh”, vendet anëtare të Bashkimit Evropian kanë kërkuar udhëzime nëse pagesa me euro përbën shkelje të sanksioneve.
Franca do të jetë nikoqire e një takimi të ministrave të Energjisë së bllokut evropian më 2 maj.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Rusia vazhdon të jetë furnizuese e besueshme e energjisë dhe ka hedhur poshtë akuzat për shantazh.
Ai nuk ka treguar sa shtete janë pajtuar për të paguar gazin në rubla, mirëpo ka thënë se gazi te konsumatorët tjerë evropianë është duke rrjedhur normalisht.
Sanksionet janë duke rënduar mbi Rusinë, pasi Ministria e Ekonomisë në këtë shtet ka parashikuar se ekonomia mund të tkurret për 12.4 për qind këtë vit.
‘Krime lufte’
Ligjvënësit kanadezë kanë votuar në mënyrë unanime më 27 prill për të shpallur sulmet ruse në Ukrainë si “gjenocid”.
Deputetet e këtij shteti kanë thënë se ka të dhëna për krime lufte sistematike dhe krime kundër njerëzimit, që po kryhen nga ana e Rusisë.
Parlamenti kanadez ka thënë se në mesin e krimeve të luftës të kryera nga Rusia përfshihen mizori, vrasje të qëllimshme të civilëve, transferim i detyrueshëm i fëmijëve, dëmtim fizik e mendor, si dhe dhunime.
Rusia mohon shënjestrimin e civilëve.
Prej kur Rusia është zhvendosur nga rajoni i Kievit muajin e kaluar, Moska ka rinisur operacionin e saj në lindje të Ukrainës, duke nisur një ofensivë të re për të marrë dy provinca të njohura si Donbas.
Ndërkohë shqetësimet janë rritur për mundësinë e zgjerimit të konfliktit në Moldavinë fqinje, ku separatistët pro-rusë kanë fajësuar Ukrainën për disa sulme që janë raportuar këtë javë në rajonin që është pushtuar nga trupat ruse prej viteve 1990.