Presidenti rus, Vladimir Putin, ka deklaruar se ekziston një mundësi për arritjen e një marrëveshjeje paqeje me Ukrainën, por ka akuzuar Kievin se po i ndërlikon bisedimet përmes sulmeve ndaj anijeve tregtare dhe paralajmërimeve për hapësirën ajrore ruse.
Gjatë fjalës së tij në një forum ekonomik në Lindjen e Largët të Rusisë, Putin ka theksuar se vende si SHBA-ja dhe Kina janë të gatshme të mbështesin procesin, mirëpo zgjidhja përfundimtare u takon dy vendeve në konflikt. Ai i cilësoi veprimet e fundit të Ukrainës si “akte të terrorizmit shtetëror”, duke iu referuar sulmeve ndaj anijeve dhe thirrjeve të Kievit drejtuar agjencisë së OKB-së për aviacionin që të ndalohen fluturimet civile mbi territorin rus.
Pavarësisht ngecjes së bisedimeve që nga shkurti, kreu i Kremlinit bëri të ditur se Rusia po mban kontakte me administratën e presidentit amerikan Donald Trump përmes shërbimeve të inteligjencës dhe të dërguarve të posaçëm, duke shprehur gatishmërinë për rivendosjen e plotë të marrëdhënieve me Uashingtonin.
