Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u tha bashkëvendësve të tij të mërkurën se do të vijë koha, kur ai do ta përmendë me emër ndonjë person që ka gjasë ta zëvendësoj si shef i Kremlinit, por shtoi se zgjedhja përfundimisht iu përket votuesve.
Politikani 68-vjeçar ka qenë në pushtet si president ose kryeministër që nga fillimi i shekullit XXI. Mandati i tij i tanishëm përfundon më 2024, por pritet që ai të bëjë përpjekje të reja për t’ia zgjatur pushtetin vetes.
“Do të vijë një kohë, shpresoj, kur mund të them se ky apo ai meriton, sipas mendimit tim, të udhëheqë një vend kaq të mrekullueshëm si Rusia, atdheu ynë”, tha presidenti rus.
Rusia e ndryshoi kushtetutën vitin e kaluar në mënyrë që Putinit t’i lejohet pjesëmarrja në garë edhe për dy mandate të tjera 6-vjeçare, duke ia mundësuar qëndrimin në pushtet potencialisht deri në vitin 2036.
Shteti më i madh në botë për nga territori do të mbajë zgjedhje parlamentare në shtator të këtij viti. Kjo garë po shihet si test para zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024. Autoritetet e kanë shtypur opozitën dhe e kanë shpallur të paligjshëm rrjetin e opozitarit më të njohur, Aleksei Navalny, duke e kategorizuar si ekstremist.
Putini kishte ardhur në pushtet në dhjetor të vitit 1999, kur ishte emëruar u.d. i presidentit, pasi paraardhësi i tij, Boris Yeltsin, ishte sëmurë. Më parë, presidenti i sotëm rus ka qenë pjesë e shërbimit sekret, KGB.