UBT News

Punimi shkencor i profesorëve të UBT-së publikohet në revistën ndërkombëtare të indeksuar në Scopus, “Georgian Medical News”

Punimi shkencor i profesorëve të Shkencave Mjekësore të UBT-së, Prof. Dr. Minire Alilaj Beqiraj, Prof. Dr. Fitim Alidema dhe Prof. Dr. Hajrullah Fejza, në bashkautorësi me MSc. Behrije Halilaj Vishi, është pranuar për publikim në revistën prestigjioze ndërkombëtare Georgian Medical News, e indeksuar në bazën e të dhënave shkencore Scopus (kuartili Q3).

Hulumtimi i titulluar “Farmakoterapia peripartum dhe rezultatet e hershme të nënës pas lindjes vaginale dhe cezariane: Një studim farmakoepidemiologjik i përdorimit të antibiotikëve, anestetikëve dhe analgjetikëve” përfshin 945 gra që kanë lindur në periudhën janar 2024 – gusht 2026 (504 lindje vaginale dhe 441 cezariane). Studimi analizon në mënyrë të integruar përdorimin e barnave para, gjatë dhe pas lindjes, si dhe ndikimin e tyre në infeksionet pas lindjes dhe kohëzgjatjen e qëndrimit në spital.

Sipas gjetjeve kryesore të publikimit, lindja cezariane shoqërohet me një trajektore dukshëm më intensive farmakoterapeutike, ku profilaksia me antibiotikë është aplikuar në 92.7% të rasteve, krahasuar me 19.8% te lindjet vaginale. Gjithashtu, studimi evidenton se koha e administrimit të antibiotikëve para prerjes kirurgjikale luan rol kyç në parandalimin e infeksioneve pas lindjes, ku çdo rritje prej 10 minutash e intervalit nga administrimi deri te prerja (brenda kufirit 5–60 minuta) uli me 29% gjasat për infeksion.

Ky hulumtim përbën një kontribut të rëndësishëm në fushën e farmakologjisë klinike dhe gjinekologjisë, duke ofruar të dhëna konkrete për optimizimin e protokolleve terapeutike dhe rritjen e sigurisë shëndetësore të nënave gjatë dhe pas procesit të lindjes. /E.A/

 

Exit mobile version