UBT News

Punëtorët teknikë të disa shkollave të kryeqytetit në grevë, kërkojnë rritje pagash

Punëtorët teknikë të disa shkollave në Prishtinë nga sot kanë hyrë në grevë si pasojë e pagave të ulta. Ata kanë paralajmëruar vazhdim të grevës nëse nuk merren vendim për rritje page, ndërsa kanë kërcënuar edhe me largim nga puna nëse nuk merren parasysh kërkesat e tyre.

Në grevë që nga ora 08:00 e mëngjesit janë edhe gjashtë punëtorët teknik të Shkollës së Mesme Ekonomike “Hoxhë Kadri Prishtina”, të cilët kërkojnë pagë rreth 400 eurove.

Feim Bislimi, punëtor teknik i kësaj shkolle i kontraktuar nga një kompani private, tha se kanë vendosur që të hyjnë në grevë për shkak të pagave të ulëta. Sipas tij, ata paguhen me rrogë prej 250 vetëm se janë të kontraktuar nga një kompani private, ndërsa kolegët e tyre të cilët janë në sektorin publik për të njëjtën punë, paguhen rreth 400 euro. Ai tha se nëse nuk ndërmerret diçka duke ju përgjigjur kërkesave të tyre, ata do të detyrohen që ta lënë punën.

“Pakënaqësia jonë është që pagat janë të vogla, ne i kemi 250 euro, kurse këta të tjerët i kanë 400 euro edhe pse kanë thënë se do të këtë lëvizje nuk ka asgjë. Kemi pasur takime edhe me nënkryetarin e Komunës, kanë thënë që 10 për qind do të këtë rritje, mirëpo edhe aty nuk ka kurrgjë. Jemi të pakënaqur që edhe nuk po mund t’ia dalim me këtë pagë dhe kanë vendosur që të hynë në grevë. Nëse nuk ndërmerret kurrgjë punëtorët janë deklaruar që do ta lenë krejt punën dhe nuk do ta vazhdojnë. Ne nuk po kërkojmë as më pak as më shumë se të jemi të barabartë me ta, kërkesa jonë është pagat të jenë të barabarta dhe të kthehemi në kuadër të komunës. Këta kanë marrë shujta e gjithçka ne nuk kemi marrë, thonë se nuk ju takojnë se jeni privat. Si privat si të shtetit në njerëz jemi, udhëtojmë, hamë e pimë, kemi obligime shtetërore. Paga është shumë e vogël. Në të shkollës sonë jemi gjatë edhe të shkollave tjera janë diku 37 veç shkollave të mesme, edhe ata të fillores kanë paralajmëruar por nuk e di a do të hyjnë”, tha ai.

Edhe punëtoret teknikë të Shkollës së Mesme të Bujqësisë “Avdyl Frashëri” i janë bashkuar kësaj greve. Nexhmije Hajdari, punëtore e kësaj shkolle tha se ky është një diskriminim i madh që është duke u bërë atyre dhe se grevën do ta vazhdojnë deri sa pagat t’u rritën.

“Ne jemi nga sot ne grevë për shkak të rrogave, i kemi rrogat më të ulëta se sa këta të sektorit publik. Këta i marrin 420 euro ne i marrim 250, kjo është diskriminim i madh për ne. Ne nuk jemi kundër kompanisë, por kundër komunës nuk na kanë rritur rrogat, na kanë premtuar që nga janari që të na rrisin nuk na kanë rrit. Grevën do ta vazhdojmë deri të na japin lajmin që na kanë rritur rrogën. Ne jemi pesë punëtorë në këtë shkollë”, tha ajo.

Exit mobile version