Punëtorët e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) kanë protestuar të hënën para Gjykatës Supreme në Prishtinë, duke kërkuar përshpejtimin e trajtimit të lëndës së tyre gjyqësore, vonesa e së cilës i ka lënë pa paga.
Sipas përfaqësuesve të punëtorëve, vonesat në vendimmarrjen e gjyqësorit po ndikojnë drejtpërdrejt në mirëqenien e qindra familjeve, ndonëse stafi ka vazhduar të kryejë detyrat e punës dhe t’u ofrojë shërbime qytetarëve.
Organizatori i protestës, Xhevat Prebreza, theksoi se kërkesa e tyre kryesore është mosvonesa e drejtësisë.
“Jemi këtu para Gjykatës Supreme sepse pas kësaj lënde janë qindra punëtorë dhe familje që presin një përgjigje. Ne nuk po kërkojmë ndërhyrje në drejtësi, por kërkojmë që drejtësia të mos vonohet, sepse në mes është jeta e familjeve tona”.
Prebreza u bëri thirrje institucioneve të drejtësisë që ta trajtojnë rastin me urgjencë, duke ngritur pyetjen se sa gjatë duhet të presin punëtorët për të marrë pagat që u takojnë me ligj. /E.A/
