Lufta ndaj kriminalitetit do të jetë më efikase pas pak muajsh me konfiskimin e pasurive të fituara jashtëligjshëm.
E duke parë mungesën e një ligji adekuat për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, institucionet e reja të udhëhequra nga LV-ja kanë hartuar Ligjin për Pasurinë e Pajustifikueshme të fituar në mënyrë të jashtëligjshme.
Sipas burimeve të “Syri. net”, ky ligj pritet të miratohet brenda pak kohësh.
Në këtë koncept dokument ndër të tjera thuhet se pasuria e fituar me kryerjen e veprave penale është nxitës kryesor i kriminalitetit.
Kjo pasuri i siguron kryesve të veprave penale burime të mëtejme për të vazhduar aktivitetet e tyre të paligjshme, veçanërisht kur bëhet fjalë për krimin e organizuar dhe korrupsionin ku sfondi i konsiderueshëm ekonomik është thelbësor për funksionimin e rrjeteve kriminale.
Derisa me fillimin e haritmit të këtij ligji ka nisur frika ndaj kryesve të veprave penale të cilët kanë përfituar pasuri në mënyrë jo logjore.
Anëtari i Komisionit për Siguri dhe Mbrojtje në Kuvendin e Kosovës Mefail Bajqinovci tha për “Syri.net”, se gjithsesi janë të vendosur që ky ligj duhet të miratohet dhe zbatohet në plotni.
Deputeti i VV-së shtoi se duhet të kemi parasysh se Kosova futet në vendet me korrupsion endemik, në çdo raport ndërkombetar jemi të listuar shumë keq.
Nga ana tjetër “Syri.net”, ka kërkuar deklarata edhe nga përfaqësues të subjekteve tjera politike, por që nuk kanë dashur të flasin.
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu thotë se është e pashmangshme hartimi i ligjit për pasurinë e pajustifikueshme të fituar në mënyrë të jashtëligjshme.
Ajo e bëri të qartë që konfiskimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme nuk mund të presë më.
Sipas saj ndër elementet thelbësore të sundimit të ligjit është edhe përgjegjësia para ligjit për pasurinë e fituar në mënyrë të jashtëligjshme, e cila si e tillë do konfiskohet me vendim të gjykatës dhe në asnjë mënyrë tjetër.
Kryeprokurori i Shtetit Aleksander Lumezi, tha se janë të vetëdijshëm se vetëm dënimi me burg i kryesve të veprave penale nuk e lëvizë seriozisht luftën kundër kriminalitetit, por krahas tyre duhet të nxirren edhe sanksione plotësuese vendime për konfiskimin e përhershëm të pasurisë së fituar me vepër penale.
“Çelësi i suksesit në luftën kundër kriminalitetit qëndron në marrjen e fuqisë ekonomike dhe pasurisë së paligjshme të individëve dhe grupeve kriminale”, tha Lumezi.
Kryeprokurori shton se me qëllim të forcimit të sundimit të ligjit dhe avancimit të luftës kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe konfiskimit të pasurive të fituara jashtëligjshëm, janë nënshkruar disa memorandume të cilat do të ndihmojnë prokurorinë në gjurmimin dhe identifikimin e aseteve të fituara në mënyrë të kundërligjshme të shtetasve kosovarë, asete këto, të cilat gjenden jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Po ashtu, së bashku me Administratën Tatimore, kemi nënshkruar memorandum ndërinstitucional, me anë të të cilit synohet intensifikimi i bashkëpunimit
në shkëmbimin e informacioneve dhe evidentimin e rasteve kur ka mospërputhje në mes të hyrave dhe shpenzimeve të personave fizikë dhe atyre juridikë që veprojnë në Kosovë, të cilët dyshohen që kanë kryer vepër penale dhe kanë krijuar pasuri të pajustifikueshme.