Mbrojtësja e viktimave në gjykimin ndaj Salih Mustafës, avokatja Anni Pues ka folur para trupit gjykues për mundësinë e zhdëmtimit të viktimave në rast se në fund të procesit do të ketë vendim për shpallje fajësie.
Ajo ka bërë të ditur se do të dorëzojnë një parashtrim për mënyrën se si synojnë të llogaritet dëmshpërblimi. Para trupit gjykues në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Pues ka thënë se presin që qeveria t’u lejojë viktimave të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim.
Ajo ka thënë se do të kërkojnë nga trupi gjykues të caktojë një ekspert për llogaritjen e dëmit material.
Ndërsa dëmi jo material sipas saj nuk është i lehtë për t’u llogaritur.
“Dëmi jo material nuk është i lehtë për tu llogaritur, të gjitha viktimat e drejtpërdrejta kanë përjetuar torturë ose trajtim çnjerëzor duke u lënë atyre lëndime të përhershme fizike dhe mendore, gjithashtu ndalimi arbitrar ka lënë shenjat e veta mendore. Ne mendojmë se ky dëm jo material duhet vlerësuar në baza të drejta. Ne do ti kërkojmë trupit gjykues të bëjë një vlerësim në baza të drejta, duke mbajtur parasysh deklaratat e vet viktimave, raportin e ekspertit mjekësor si edhe standardet që burojnë nga jurisprudenca ndërkombëtare dhe kombëtare”, ka thënë avokatja e viktimave.
Ajo ka thënë se viktimat duhet të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim.
“Theksojmë këtu se disa pika mbetën të hapura siç është për shembull zbatueshmërinë e legjislacionit të cituar në një situatë përpara se të ekzistonte Republika e Kosovës, pra përpara se të ekzistonte kjo si subjekt. Po kështu nuk kanë marrë zgjidhje plotësisht probleme të tjera si nevoja për vijimësi të anonimitetit, pra kjo është një çështje që po ashtu nuk është trajtuar plotësisht. Siç e kam thënë më parë do të ofrojmë mendimet tona të mëtejmë në këtë pikë në momentin e duhur, por ajo çfarë duam të pranojmë dhe të vlerësojmë se ne këtë aspekt përpjekjet e turpit gjykues anë qenë për lëvdata. Ne shpresojmë që qeveria të mund të heq çdo ambiguitet, çdo dyshim dhe të sigurojë një qasje konstruktive që do t’u lejojë viktimave që të mund të përmbushin pretendimet e tyre për zhdëmtim”, ka thënë ajo.
Pues ka folur edhe dëshmitë që janë dëgjuar në seanca private çka sipas saj është brengosëse meqë publiku nuk ka arritur të dëgjojë historinë e viktimave.
“Lufta dhe përpjekja e Kosovës ka marrë shumë jetë, për viktimat pjesëmarrëse këtu është e rëndësishme të theksohet se ata janë pjesë e kësaj të shkuare, të tashmes dhe gjithashtu të ardhmes së Kosovës. Ajo që ata duan është të njihet ajo çfarë ka ndodhur, të kuptohet ajo si dhe të jenë në gjendje të thyejnë heshtjen. Unë kam folur për këtë gjë gjatë e gjerë në deklaratën time hyrëse, për arsye se, e ritheksoj këtë element këtu, është se e kuptoj se perspektiva e viktimave në përgjithësi i fshihet publikut për shkak të nevojës për mbrojtje. Ata që na kanë përcjellë rregullisht e njohin shumë mirë tashmë shenjën seancë private në ekran. Pas kësaj shenjë në seancë private fshihen histori dhimbje ,humbje dhe traume dhe e kemi me merak që këto të jenë informacione të ditura publikisht”, ka thënë ajo.
Mbrojtësja e viktimave është deklaruar para se trupi gjykues të fillojë të dëgjojë një viktimë.
Ajo ka kërkuar që viktima të dëgjohet në seancë të mbyllur për shkak se ka informacione që mund të cenojnë masat mbrojtëse.
Aktakuza ndaj Salih Mustafës, i cili është i arrestuari i parë nga Specialja, është konfirmuar më 12 qershor të vitit 2020 ndërsa ai u arrestua më 24 shtator të vitit të kaluar, me pretendimin për krime lufte.
Ai po qëndron në qendrën e paraburgimit në Hagë ndërsa në deklarimin e tij para trupit gjykues, Salih Mustafa është deklaruar i pafajshëm.