Profesori i UBT-së, Arsim Hajdari ka publikuar një studim të rëndësishëm në revistën ndërkombëtare MDPI, përkatësisht në journalin shkencor Life.
Punimi me titull “Real-World Experience with Brolucizumab in Treatment-Naïve nAMD with Low Baseline Visual Acuity: Short-Term Outcomes from a Prospective Single-Institution Study”, i realizuar në bashkëpunim me studiuesin Valdet Uka, trajton një nga sëmundjet më të shpeshta dhe më serioze të syrit, Neovascular age-related macular degeneration (degjenerimi makular i lidhur me moshën në formën neovaskulare), që është një shkak kryesor i humbjes së pakthyeshme të shikimit në nivel global.
Studimi është realizuar si një kërkim prospektiv në kushte reale klinike në Italian Eye Hospital, duke përfshirë 154 sy të pacientëve që nuk kishin marrë trajtim më parë dhe që paraqiteshin me nivel të ulët të shikimit në fillim të trajtimit.
Qëllimi kryesor ka qenë vlerësimi i efekteve afatshkurtra të terapisë me Brolucizumab, një nga barnat më inovative në trajtimin e sëmundjeve neovaskulare të syrit.
Një gjetje e rëndësishme e studimit është se pacientët më të rinj kanë treguar përfitime më të mëdha në përmirësimin e shikimit, ndërsa faktorë si gjendja fillestare e shikimit dhe fakti që pacientët nuk kishin marrë trajtim më parë rezultojnë të jenë determinantë kyç në suksesin e terapisë.
Ky publikim shkencor përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për komunitetin akademik dhe mjekësor, edhe për praktikën klinike, pasi ofron të dhëna konkrete nga praktika reale për trajtimin e një sëmundjeje që prek miliona njerëz në mbarë botën.
