Sipas një postimi në faqen e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit, është bërë e ditur se në Platformën për Konsultime me Publikun është publikuar Plani i Menaxhimit për Muzeun “At Shtjefën Gjeçovi”.
Ky plan paraqet një kornizë të rëndësishme strategjike dhe operative për funksionimin dhe zhvillimin e këtij institucioni në Janjevë, duke e konsoliduar rolin e tij si një qendër publike, kulturore dhe edukative. Dokumenti synon të udhëzojë vendimmarrjen institucionale, të përcaktojë qartë strukturat dhe përgjegjësitë, si dhe të vendosë parime etike për funksionimin e muzeut.
Po ashtu, plani parasheh integrimin e muzeut në zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit lokal, duke përfshirë qasje bashkëkohore të menaxhimit dhe pjesëmarrje aktive të palëve të interesit. Ky dokument strategjik mbulon një periudhë 10-vjeçare.
Ministria ka bërë thirrje që të gjithë të interesuarit të kontribuojnë me komentet dhe sugjerimet e tyre përmes platformës përkatëse, ndërsa afati për dërgimin e tyre është nga 8 prilli deri më 30 prill 2026.
