UBT News

Publikohet në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology” studimi i profesorëve të UBT-së për sigurinë e barnave të hipertensionit

Një studim i ri farmakoepidemiologjik i realizuar nga profesorët e UBT-së, Arieta Hasani Alidema dhe Fitim Alidema, ka sjellë të dhëna me rëndësi mbi përdorimin, sigurinë dhe rivlerësimin e hershëm klinik të terapisë antihipertensive në kujdesin parësor shëndetësor.

Hulumtimi shkencor, i publikuar në revistën ndërkombëtare “Pharmacoepidemiology“, bazohet në analizën e 1,212 pacientëve të rritur me hipertension arterial, të trajtuar në kujdesin parësor gjatë periudhës janar 2024 – korrik 2026. Mosha mesatare e pacientëve të përfshirë në studim ishte 63.4 vjeç, ku 60.8% e tyre ishin gra dhe 80.1% banorë të zonave rurale, ndërsa mbi 82% e tyre vuanin nga hipertensioni i shkallës së dytë dhe të tretë.

Sipas gjetjeve të studimit, bari më i përshkruar nga mjekët ishte Losartani 40 mg në 56.4% të rasteve, i ndjekur nga Lisinoprili 5 mg me 25.7%. Reaksionet e padëshiruara nga barnat u dokumentuan te 25.2% e pacientëve, duke treguar dallime të ndjeshme statistikore ndërmjet klasave të ndryshme të antihipertensivëve. Në veçanti, analizat treguan se bllokuesit e kanaleve të kalciumit shoqëroheshin me mundësi më të larta për shfaqjen e efekteve anësore, ndërsa përdorimi i statinave dhe trajtimi kronik i rregullt lidheshin me një shkallë më të ulët të këtyre reaksioneve.

Gjithashtu, studimi nxori në pah se rivlerësimi i hershëm klinik brenda 7 deri në 30 ditë u realizua te 96.9% e pacientëve me përcjellje të dokumentuar, çka dëshmon rëndësinë e monitorimit të afërt. Përmes këtij hulumtimi, profesorët e UBT-së nënvizojnë nevojën për një qasje të individualizuar dhe ndjekje të strukturuar të pacientëve në mjekësinë familjare, me qëllim optimizimin e trajtimit dhe rritjen e sigurisë shëndetësore.

Exit mobile version