Gjykata Kushtuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë lidhur me bllokadën në Kuvend. Masa e përkohshme është mbajtur në fuqi deri në publikimin e aktgjykimit dhe publikimit të tij në Gazetën Zyrtare.
Aktgjykimi i plotë:
“Gjykata vendosi: TË URDHËROJË, me 6 [gjashtë] vota për dhe 1 [një] kundër, Kryesuesin e Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës të vazhdojë me pikën 3 të rendit të ditës së Seancës Konstituive, të miratuar më 8 prill 2025, dhe në pajtim me paragrafin 2 të nenit 67 [Zgjedhja e Kryetarit dhe Nënkryetarëve] të Kushtetutë së Republikës së Kosovës, të ftojë përfaqësuesin e grupit më të madh parlamentar për të propozuar kandidatin/en për Kryetar/e të Kuvendit të Republikës së Kosovës, i/e cili/cila zgjedhet përmes votimit të hapur, votimi i cili mund të realizohet vetëm deri në 3 (tre) herë për kandidatin/en e njëjtë”, thuhet në aktgjykimin e Kushtetueses të publikuar sot.
Gjykata Kushtetuese tha se deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës nuk e kanë zbatuar Aktgjykimin e 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht të gjitha seancat e mbajtura nga data 27 qershor deri më 26 korrik 2025 shpallen të pavlefshme.
Gjithashtu, gjykata tha se Kryesuesi i Seancës Konstituive të Kuvendit të Republikës së Kosovës, nuk ka vepruar në pajtueshmëri me Aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës në rastin KO124/25, të 26 qershorit 2025 dhe rrjedhimisht veprimet e tij janë në papajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 116 [Efekti Juridik i Vendimeve] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.