Sporti ndikon në shëndetin mendor dhe emocional të njeriut në forma të ndryshme, duke filluar përmes reduktimit të stresit, rritjes së vetëbesimit dhe disiplinës, uljes së ankthit dhe depresionit, organizimit, etj.
Efektet pozitive të sportit në shëndetin mendor më së miri i shpjegon specialistja e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë, Fatime Fazliu në një intervistë për UBTNews.
“Është e ditur botërisht që aktiviteti fizik ose sportet ndikojnë pozitivisht në menaxhimin e ankthit dhe stresit, për vetë faktin se në aspektin e shëndetit mendor kjo luan shumë rol sepse lirohen hormonet, endorfinat, të cilat janë zbutës të dhimbjeve natyrale, kështu që kjo i mundëson trupit që t’i lirojnë kto dhe të jetë menaxhimi i stresit dhe i ankthit shumë më i mire, pjesa tjetër çka ndodhë është që mund të lirohet edhe hormoni kortisol edhe adrenalina”, tha specialistja e psikologjisë klinike dhe psikoterapisë.
Sipas Fazliut, aktivitetet fizike ndikojnë në menaxhimin e gjendjes emocionale dhe në përmirësimin e disponimit të përgjithshëm.
“Nganjëherë në jetën e përditshme persona të ndryshëm ballafaqohen me probleme të ndryshme, me ankth, me stres edhe probleme nga më të ndryshmet që lidhen drejtpërdrejt me gjendjen emocionale, e cila është lidhja për vetë faktin që nëse një person merret me aktivitete fizke kjo i mundëson atij që të menaxhojë mendimet negative më lehtë edhe kështuqë mbas asaj ne i themi është njëfarë lloj terapie okupacionale”, shtoi ajo.
Fazliu thotë se sporti është një gjendje psiko-fizike dhe falë aktiviteteve sportive njerëzit më lehtë i përballojnë sfidat dhe dështimet.
“Është një gjendje psiko-fizke për vetë faktin që momentin që një person merret me aktivitete fizike, merret me sport, kjo i jep domethënë qe gjatë aktiviteteve sportive një person jep shumë mund, jep shumë djersë domethënë edhe mendja kalitet njëfarë mënyre, qysh kalitet edhe trupi kështu që pjesa e pozititvitetit pas shumë dështimeve, është diçka që duhet të mbahet në kontunuitet dhe sporti ia jep këtë mundësi domethënë një individi”, përfundoi ajo.
Sporti është një mjet i fuqishëm për të përmirësuar shëndetin mendor dhe emocional. Krahas tjerash, sporti promovon jetesë të shëndetshme./UBTNews/
Realizoi: Arti Haziraj