Dikur një ikonë e unitetit dhe fatit, lidhja e fanellës me të djathtën ekstreme të Brazilit ka bërë që tifozët e futbollit të heqin dorë nga ajo.
Higor Ramalho, një tifoz i zjarrtë i futbollit, planifikon të rifillojë udhëtimet e tij të rregullta në stadiume. Kjo pasi janë lehtësuar shqetësimet për përhapjen e koronavirusit, kufizimet janë hequr dhe kombi tani futet në frymën e Kupës së Botës.
Mirëpo, fanella e famshme e verdhë qëndron e varur në dollapin e tij që nga qershori i vitit 2018. Hera e fundit që e ka veshur ka qenë në ditëlindjen e tij. Ai nuk e di se kur dhe nëse do ta veshë atë përsëri.
“Veshja e fanellës së verdhë ishte një moment krenarie për mua”, thotë 33-vjeçari për Al Jazeera.
“Ishte një simbol i fitores. E kam veshur jo vetëm kur shikoja ndeshjet, por edhe në ditët e rregullta. Tashmë, e kam lënë këtë për arsye politike. Presidenti aktual, së bashku me mbështetësit e tij, e kthyen fanellën e verdhë në një fushatë politike dhe simbol të partisë së tyre politike”.
“Duke qenë se nuk i mbështes idetë e tyre politike, refuzoj të dukem si një prej tyre”.
Fanella e verdhë, e njohur si “fanela e Canarinhos”, nuk ka qenë gjithmonë fanella e kombëtares së Brazilit. Ajo u projektua në vitin 1953. Në atë kohë, kombëtarja kishte veshur fanella të bardha.
Organi qeverisës kombëtar i futbollit, së bashku me një gazetë, nisi një konkurs për të hartuar një uniformë të re për kombëtaren, kushti ishte që fanella e re të kishte ngjyrat e flamurit kombëtar.
U dorëzuan më shumë se 300 aplikime. Dorëzimi fitues ishte nga Aldyr Garcia Schlee, një brazilian i cili u ndje i thyer nga rezultati i vitit 1950 duke qenë se ai kishte lindur në kufirin me Uruguain.
Fanella e verdhë shpejt u bë simbol i optimizmit, fatit dhe unitetit mes tifozëve të futbollit.
Numri 10 i veshur nga Pele gjatë viteve të tij magjepsëse në fushë, numri 9 i Ronaldos kur u bë fitues i Kupës së Botës dhe numri 11 i Romarios gjatë ecurisë së tij mahnitëse të Kupës së Botës 1994, të gjitha u bënë pjesë e historisë së pasur dhe të suksesshme të Brazilit në fushë.
Por miratimi i këmishës në fushatat politike, së fundmi nga presidenti Jair Bolsonaro dhe mbështetësit e tij të krahut të djathtë përpara fitores së tij në zgjedhjet e 2018, bëri një numër të madh fansash të heqin dorë nga ajo.
Analistët thonë se të njëjtat momente ikonike të futbollit brazilian po përdoren jashtë fushës për të promovuar ide të kundërta me unitetin që e bëri të famshëm kombëtaren dhe vendin.
“Futbolli është diçka ikonë për Brazilin, është ajo që i bashkon të gjithë shumicën e kohës”, thotë Isabela Guedes.
“Kur ata [përkrahësit e krahut të djathtë] marrin diçka kaq domethënëse për vendin dhe e përdorin atë me qëllime politike, është sikur po na e vjedhin. Nuk ndihem rehat të var një flamur në dritaren time gjatë Kupës së Botës, sepse do të ngatërrohem me njerëz me pikëpamje krejtësisht të ndryshme politike.
“Ata kanë marrë flamurin dhe fanellën e verdhë dhe i kanë kthyer në simbole politike”.
Por zgjedhja e fanellës për qëllime politike nuk filloi me mbështetësit e Bolsanaros. Në vitin 1970, diktatura ushtarake përdori flamurin kombëtar dhe imazhin e ekipit, duke lidhur thelbin e Brazilit me ekipin, sipas Carolina Fontenelle, një studiuese në Laboratorin e Studimeve të Medias dhe Sportit në UERJ.
Gjenerali Medici, udhëheqësi ushtarak i Brazilit në atë kohë, luajti gjithashtu një rol të madh në largimin e trajnerit të ekipit kombëtar përpara Kupës së Botës të Meksikës 1970.
Me kalimin e kohës dhe këtyre përpjekjeve, u krijua një lidhje e fortë midis brazilianëve dhe fanellës së ekipit të tyre, shtoi ajo.
“Që atëherë, fanella e verdhë është perceptuar si një simbol. Njerëzit e shikojnë atë fanellë dhe e veshin me krenari sepse ndihen pjesë e një grupi”, thotë Fontenelle.
Para kësaj, gjatë trazirave të 2013-ës për të protestuar ndaj rritjes së kostos së jetesës, korrupsionit dhe brutalitetit policor, fanella mori një tjetër aspekt.
“Njerëzit që ishin pjesë e trazirave gjithashtu e kishin veshur atë. Kishte një numër të madh njerëzish në rrugë që protestonin kundër shumë gjërave, përfshirë paratë e shpenzuara për Kupën e Botës 2014. Në vitin 2018, ne kishim të djathtën ekstreme të veshur me fanellën”, tha Fontenelle.
“Fanella të jep ndjenjën se i përket një grupi dhe kjo ndjenjë humbet kur përdoret nga një grup politik që nuk mbron pakicat”.
“Gjatë zgjedhjeve të vitit 2014, fushata e Aecio Neves rrëmbeu ngjyrat e flamurit brazilian”, tha ajo.
Pak më shumë se dy vjet më parë, një fushatë, e drejtuar nga shkrimtari dhe regjisori Joao Carlos Assumpcao, i kërkoi organit kombëtar të futbollit të shfuqizonte fanellën e famshme verdhe dhe të kthente fanellën bardhë e blu.
Disa grupe pro-demokracisë, përfshirë gazetën Folha de Sao Paulo, u përpoqën të shkëputnin ngjyrën me fushatën e ekstremit të djathtë.
Fushata DevolvamNossaBandeira (#GiveBackOurFlag) mori gjithashtu mbështetjen e disa figurave politike.
“Futbolli është për të gjithë, nuk më pëlqen që [fanela] të përdoret nga njerëz që promovojnë racizëm, seksizëm dhe diskriminim”, thotë për Al Jazeera, Ademir Takara, bibliotekar dhe historian në Muzeun e Futbollit në Sao Paulo.
“Fanella është e kundërta e kësaj. Ajo përfaqëson unitetin dhe nuk po përdoret për këtë qëllim”.
“Nga viti 2013, është bërë një gjë politike më shumë se kurrë më parë. Është duke u përdorur nga njerëz me ide të ndryshme që donin diçka për t’i bashkuar dhe fanella ishte gjëja më e lehtë dhe më e fortë që panë”.
Në fillim të këtij muaji, mijëra mbështetës të Bolsonaros u dyndën në plazhin Copacabana në Rio de Zhaneiro, midis qyteteve të tjera, si pjesë e një fushate përpara zgjedhjeve të tetorit, vetëm një muaj përpara Kupës së Botës në Katar.
Shumë prej tyre kishin veshur fanellën e verdhë.
Ish-presidenti Luiz Inacio Lula, i cili supozohet të fitojë sondazhet e muajit të ardhshëm, sulmoi demonstratën në përvjetorin e 200 viteve të pavarësisë së Brazilit.
“7 shtatori duhet të jetë një ditë dashurie dhe bashkimi për Brazilin. Fatkeqësisht, kjo nuk është ajo që po ndodh sot. Unë besoj se Brazili do të rimarrë flamurin, sovranitetin dhe demokracinë e tij”, shkroi ai në Twitter.
Me dashuri për fanellën, tifozja e futbollit Marina Moreno tregoi se sa e “frustruar” ishte “që po sheh fanellën e verdhë duke u bërë një simbol i qeverisë aktuale”.
“Sot, është pothuajse e pamundur të mos e lidhësh atë me presidentin aktual dhe mbështetësit e tij. Është automatike dhe është zhgënjyese. Unë nuk e mbështes qeverinë aktuale dhe nuk dua të ngatërrohem me një nga mbështetësit e tij, kështu që vendosa të mos e mbaj më atë”./UBTNews/