Imagjinoni sikur ka rënë një zjarr të vogël në kuzhinën tuaj. Menjëherë bie alarmi anti-zjarr, duke i paralajmëruar për rrezikun të gjithë të pranishmit në banesë. Dikush telefonon zjarrfikësit. Ju përpiqeni ta shuani vetë zjarrin, dhe ndoshta keni edhe një pompë të zogël zjarrfikëse nën lavaman.
Nëse as ajo nuk funksionon, e dini se si të evakuoni në mënyrë të sigurt. Në momentin që dilni jashtë, zjarrfikësit po përgatiten të hidhen në veprim. Ata përdorin hidrantin para për të shuar flakët përpara se nga zjarri të rrezikohet ndonjë nga shtëpitë e fqinjëve tuaj.
Ne duhet të përgatitemi për t’i luftuar shpërthimet epidemike të sëmundjeve, ashtu siç përgatitemi për të luftuar zjarret. Nëse një zjarr lihet të digjet jashtë kontrollit, ai përbën një kërcënim jo vetëm për një shtëpi, por për një komunitet të tërë. E njëjta gjë vlen edhe për sëmundjet infektive, sidomos ato që përhapen në shkallë të gjerë.
Siç e dimë shumë mirë nga Covid-19, një shpërthim epidemik në një qytet, mund të përhapet shpejt në një vend të tërë dhe më pas në mbarë botën. Kur Organizata Botërore e Shëndetësisë e cilësoi për herë të parë Covid-19 si një pandemi pak më shumë se 3 vjet më parë, ai shënoi kulmin e një dështimi kolektiv për t’u përgatitur për pandemitë, pavarësisht shumë paralajmërimeve të bëra.
Dhe unë kam frikë se po bëjmë sërish të njëjtat gabime. Bota nuk ka bërë aq shumë për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme sa kam shpresuar. Por nuk është tepër vonë për të shmangur përsëritjen e historisë. Bota ka nevojë për një sistem të mirë–financuar që të jetëgati të hyjë në veprim kur të shfaqet rreziku.
Ne kemi nevojë për një “zjarrfikës” për pandemitë. Unë jam optimist për një rrjet që po ndërtojnë OBSH dhe partnerët e saj, i ashtuquajturi Korpusi i Emergjencave të Shëndetit Global. Ky rrjet i udhëheqësve kryesorë të urgjencës shëndetësore në botë, do të punojë së bashku për t’u përgatitur për pandeminë e ardhshme.
Ashtu si zjarrfikësit që kryejnë stërvitje për të praktikuar reagimin ndaj një zjarri, Korpusi i Emergjencave planifikon të kryejë stërvitje për t’u praktikuar se si të reagojë përballëepidemive dhe pandemive. Ushtrimet do të sigurojnë që të gjithë – qeveritë, ofruesit e kujdesit shëndetësor, punonjësit e urgjencës shëndetësore – ta dinë se çfarë të bëjnë kur shfaqet një shpërthim i mundshëm.
Një nga detyrat më të rëndësishme të kësaj trupe, do të jetë ndërmarrja e veprimeve të shpejta për të ndaluar përhapjen e një patogjeni. Shpejtësia e veprimit kërkon që vendet të kenë aftësi testimi në shkallë të gjerë, në mënyrë që të identifikojnë që në fillim kërcënimet e mundshme.
Mbikëqyrja mjedisore si testimi i ujërave të zeza është shumë thelbësore, pasi shumë patogjenë shfaqen në mbetjet njerëzore. Nëse një kampion i ujërave të zeza rezulton pozitiv, një ekip i reagimit të shpejtë do të vendoset në zonën e prekur për të gjetur njerëz që mund të infektohen, do të zbatojë një plan reagimi, dhe do të nisë edukimin e nevojshëm të komunitetit se çfarë duhet kërkuar dhe si të qëndrojnë të mbrojtur.
Siç e tregoi Covid-19, një pandemi është një problem triliona dollarësh, dhe zbutja e kësaj sfide nuk duhet të varet nga vullnetarët. Ne kemi nevojë për një trupë profesionistësh nga çdo vend dhe rajon, dhe bota duhet të gjejë një mënyrë për t’i kompensuar ata për kohën që shpenzojnë duke u përgatitur dhe për t’u përgjigjur ndaj kërcënimeve transnacionale.
Ata duhet të jenë në gjendje të vendosin në gatishmëri ekipe profesionistësh për të ndihmuar në kontrollin e shpërthimeve atje ku nisin. Që të jetë i suksesshëm, Korpusi i Emergjencave duhet të bazohet në rrjetet ekzistuese të ekspertëve dhe të udhëhiqet nga njerëz si drejtuesit e agjencive kombëtare të shëndetit publik dhe drejtuesit e tyre për përgjigje epidemike.
Është e vështirë për çdo vend që ta ndalë vetë përhapjen e një sëmundje. Shumë nga veprimet më domethënëse kërkojnë një koordinim nga nivelet më të larta të qeverisë. Bota duhet të përgatitet për një “zjarr” me shumë alarme, dhe për mënyra efektive të reagimit ndaj zjarrit që kërkon njësi dhe departamente të ndryshme.
Këto lloj flakësh janë të rralla, por kur ndodhin, nuk ka asnjë minutë kohë për të humbur. Reaguesit lokalë duhet të dinë se mund të mbështeten në një numër të madh “zjarrfikësish epidemikë” të trajnuar mirë, të cilët do të punojnë pa probleme së bashku.
Ata nuk mund të mbërrijnë në vendngjarje, vetëm për të zbuluar se pajisjet e tyre nuk përshtaten me ato të njësive të njësitë e tjera që kanë mbërritur më herët. Trupat e Emergjencave do të sigurohen që vendet dhe sistemet shëndetësore të jenë të koordinuara përpara një emergjence, në mënyrë që gjithçka të ecë pa probleme gjatë kohëve të krizës.
Duke kryer stërvitje dhe simulime, ky organ do të zbulojë zonat ku vendet dhe udhëheqësit nuk janë gati, dhe do të na ndihmojë që t’i rregullojmë që tani problematikat. Është e rëndësishme të ketë stërvitje edhe për shumë lloje të ndryshme patogjenësh.
Sëmundjet e frymëmarrjes njerëzore janë një shqetësim i madh, sepse ato mund të përhapen shumë shpejt në nivel global. (Kujtoni se sa shpejt u përhap Covid-19). Por ata janë larg nga të qenit kërcënimi i vetëm. Po sikur patogjeni tjetër me potencial pandemik të përhapet përmes spërklave sipërfaqësore?
Po nëse transmetohet seksualisht si HIV? Po sikur të jetë rezultat i bioterrorizmit? Çdo skenar kërkon një përgjigje të ndryshme, dhe Trupat e Korpusit të Emergjencës mund ta ndihmojnë botën që të përgatitet për të gjitha ato. Ne nuk kemi luksin që të kapemi sërish të papërgatitur.
Bota duhet të ndërmarrë veprime tani për t’u siguruar që Covid-19 të jetë pandemia e fundit,dhe një nga lëvizjet më të mëdha që mund të bëjmë është të mbështesim ekspertët kryesorë të shëndetit në botë – OBSH – dhe të investojmë në Korpusin e Emergjencave Shëndetësore Globale që të mund të tregojë potencialin e tij të plotë.
Dhe kjo do të kërkojë dy gjëra:Së pari, pjesëmarrjen e liderëve të shëndetit publik nga të gjitha vendet. Pandemia e ardhshme mund të shfaqet kudo, ndaj Korpusi i Emergjencave duhet të ketë ekspertizë nga çdo cep i globit, përfshirë nga agjencitë kombëtare të sëmundjeve dhe kërkimit si Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve dhe Institutet Kombëtare të Shëndetit në Shtetet e Bashkuara.
Së dyti, ne kemi nevojë që vendet më të pasura të ofrojnë më shumë fonde për ta bërë realitetngritjen e kësaj strukture. Unë besoj se OBSH0ja mbetet mjeti ynë më i mirë për t’i ndihmuar vendet të ndalojnë shpërthimet e sëmundjeve epidemike.
Ndërsa Korpusi i Emergjencave Shëndetësore Globale, do të përfaqësojë një përparim masiv drejt një të ardhmeje pa pandemi. Pyetja është nëse ne kemi largpamësinë e duhur për të investuar tek kjo e ardhme tani, dhe jo para se të jetë tepër vonë.
Shënim: Bill Gates, bashkë-kryetar i “Fondacionit Bill & Melinda Gates”. Ai është autor i librit “Si të parandalojmë pandeminë e ardhshme”./“New York Times” – Bota.al