Koreja e Jugut është bërë superfuqi argëtuese – jo vetëm pse është “Squid Game” seriali më i shikuar në Netflix në historinë e platformës, ky vend gjithashtu ka prodhuar hite të tjera ndërkombëtare si “All Of Us Are Dead”, “Extraordinary Attorney Woo” dhe “The Glory”.
Filmi “Parasite” i vitit 2019 është filmi i parë që s’është në gjuhën angleze, por që fitoi çmimin për filmin më të mirë në Oscar. Dhe kjo është vetëm një pjesë e suksesit ndërkombëtar të këtij vendi.
Netflix njoftoi javën e kaluar se do të investojë 2.5 miliardë dollarë në përmbajtjen krijuese të Koresë së Jugut gjatë katër vjetëve të ardhshme, duke u mbështetur në portfolin e filmave, dramave televizive, shfaqjeve televizive, lojërave dhe muzikës.
Investimet shtesë u konfirmuan pas një takimi mes presidentit të Koresë së Jugut, Yoon Suk-yeol dhe kryeshefit ekzekutiv të Netflixit, Ted Sarandos, në Washington. Lideri i Koresë vizitoi Shtetet e Bashkuara të Amerikës i shoqëruar nga drejtues të lartë të shumë prej korporatave më të mëdha të Koresë së Jugut.
Duke folur para mediave pas takimit me Sarandosin, Yoon vlerësoi “vendimin e guximshëm të Netflixit për të investuar”.
“Investimi do të jetë një mundësi e madhe, jo vetëm për industrinë e përmbajtjes dhe krijuesit e shfaqjeve, por edhe për Netflixin”, tha ai.
Nga ana tjetër, Sarandos tha se kjo do të fuqizojë partneritetin tonë të gjatë me Korenë.
“Ne e morëm këtë vendim falë besimit të madh në industrinë e përmbajtjes koreane dhe ne do të krijojmë edhe histori të tjera të shkëlqyeshme”, deklaroi ai.
David Tizzard tha se grupet, serialet dhe filmat nga Koreja e Jugut kanë faktorë të ngjashëm identifikues që i bëjnë ato atraktive për publikun ndërkombëtar.
Ndoshta arsyeja kryesore dhe më e rëndësishme, si për publikun, investitorët dhe partnerët është kualiteti i lartë dhe vlerat prodhuese. Pastaj, ekziston edhe fakti se industria është revolucionarizuar nga teknologjia, thekson Tizzard, duke e bërë përmbajtjen që në të kaluarën kopjohej ilegalisht në CD, tani të qasshme menjëherë.
Në platforma të tilla si Netflix, publiku ndërkombëtar mund të gjejë lehtësisht shfaqje koreane, pasi ato “u prezantohen shikuesve automatikisht; është aty edhe nëse nuk e keni kërkuar”, tha Tizzard. Nga 231 milionë abonentë të Netflix në 190 vende, mbi 60% kanë parë përmbajtje koreane të paktën një herë.
Një faktor i fundit, do të jetë ndryshimi i vlerave globale, sipas kolumnistit.
“Ne jetojmë në një botë në të cilën identiteti është bërë i rëndësishëm. Njerëzit nuk duan më vetëm prodhime të udhëhequra nga të bardhët që paraqesin vetëm vlera amerikane. Ata duan etni të ndryshme, vlera, përfaqësime e kështu me radhë. Derisa Perëndimi po shkon në atë drejtim, Koreja është duke ua transmetuar ato vlera”.
Kwon Jung-min, një profesor i asociuar në Universitetin Shtetëror të Portlandit në Oregon, i specializuar në kulturën popullore të Azisë Lindore, beson se mbështetja financiare e Netflixit mund të hapë dyer të reja për sektorin krijues të Koresë./UBTNews/