UBT News

Pse ky vizatim u bë viral?

Ilustrimi në ngjyrë të errët i një fetusi në mitër u bë viral dhjetorin e vitit të kaluar, teksa shumë njerëz komentuan në mediat sociale se ishte hera e parë që kishin parë një ilustrim të tillë të një fetusi me lëkurë të errët ose një gruaje shtatzënë.

E gjithë vëmendja e madhe e zuri në befasi Chidiebere Ibe, student i vitit të parë në mjekësi që e realizoi këtë imazh. Ai e përshkroi këtë “si një nga vizatimet e tij të shumta përmes së cilave ai avokon për diversitet në ilustrimet mjekësore”.

Ky imazh ngjalli debatin rreth mungesës së prezantimit të këtyre ilustrimeve – që kryesisht gjenden në libra shkollorë dhe artikuj shkencorë për të treguar patologjitë dhe procedurat mjekësore.

Ibe, 25-vjeçar, që është drejtor kreativ në në Shoqatën e Neurokirurgëve të Ardhshëm afrikanë, tani është ftuar të botojë disa nga ilustrimet e tij në edicionin e dytë të një manuali të krijuar për të treguar se si shfaqen një sërë kushtesh në lëkurën e errët.

“Mind the Gap: A clinical handbook of signs and symptoms in Black and Brown Skin”, u publikua për herë të parë në vitin 2020. Bashkëautori Malone Mukwende, një student i Mjekësisë në Londër, shkroi përmes emailit që: “Puna e tij… nxjerr në dritë disa nga paragjykimet që ekzistojnë në mjekësi për të cilat mund të mos jemi të vetëdijshëm. Përfaqësimi në kujdesin shëndetësor është i domosdoshëm për të siguruar që ne të mos lejojmë që paragjykimet të kultivohen në kokën tonë”.

Ibe diplomoi në degën e kimisë në Nigeri, kurse tani po studion për mjekësi në Ukrainë. Këto ilustrime mjekësore i filloi në vitin 2020. Ai tashmë ka krijuar imazhe që përshkruajnë anatominë dhe një sërë kushtesh, të tilla si sëmundjet e lëkurës vitiligo, plagët e ftohta, infeksionet në gjoks dhe lëndimet kurrizore, të gjitha te njerëzit me ngjyrë.

Sipas tij, mungesa e ilustrimeve rreth kushteve të lëkurës te njerëzit me ngjyrë, e vështirëson punën për studentët e mjekësisë që t’i diagnostifikojnë ato. Mukwende shpreson se bashkërisht ata mund të krijojnë “një projekt për botën” përsa i përket asaj se si duhet të duken librat e ndryshëm mjekësorë dhe se “Mind the Gap” do të njihet si “libër shkollor për përfaqësimin e një sërë tonesh të lëkurës”.

Një “hendek i madh” në prezantim

Jenna Lester, profesoreshë në Departamentin e Dermatologjisë në Universitetin e Kalifornisë, San Francisko, i përshkruan ilustrimet e tij “të jashtëzakonshme”.

Lester thotë se e kuptoi se kishte një “hendek të madh” rreth këtij përfaqësimi në dermatologji kur ishte studente, dhe një pedagoge iu tregoi në klasë se si një gjendje e caktuar do të dukej ndryshe në lëkurën e errët, por jo edhe se si do të shfaqej. Lester thotë se “është e lumtur” se njerëzit “aktualisht po i përgjigjen dhe po e njohin si problem madhor dhe po ndërmarrin veprime për ta ndryshuar atë”.

COVID-19 vuri në pah pabarazitë e kujdesit shëndetësor

Në disa vende perëndimore, njerëzit me ngjyrë janë prekur në mënyrë disproporcionale nga pandemia COVID-19. Hulumtimi nga CDC zbuloi se grupet e pakicave racore dhe etnike kanë pasur norma më të larta të shtrimit në spital dhe kujdesit urgjent për COVID-19 sesa të bardhët në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Lester thotë se “COVID-19 ka nxjerrë në pah shumë çështje të pabarazive, dhe kjo na ka bërë të mendojmë për pabarazitë dhe të gjitha mënyrat që ato shfaqen, përfshirë në dermatologji”.

Lester ishte bashkëautor i një punimi që u botua në British Journal of Dermatology në maj të vitit 2020, ku mes tjerash u tha se në artikujt shkencorë kryesisht shfaqen imazhe klinike të pacientëve të bardhë dhe jo atyre me ngjyrë.

Ibe planifikon të bëhet neurokirurg pediatrik dhe po punon gjithashtu për një libër shkollor për defektet e lindjes te fëmijët, i cili do të ilustrohet me imazhe kryesisht te lëkurës më të errët./UBTNews

Exit mobile version