UBT News

Pse disa njerëz shohin fantazma, sipas shkencës

A janë fantazmat e vërteta? Varet. Shkenca aktuale nuk mund të provojë se ka shpirtra që ecin nëpër mure ose që pëshpërisin poshtë dyshemesë. Këta faktorë mendorë dhe fizikë mund të jenë përgjegjës për pothuajse çdo dukuri rrëqethëse, sipas shkencës.

Njerëzit duan të besojnë

Falë rrëfenjave, librave, filmave etj., detajet drithëruese për fantazmat mund të depërtojnë në nënndergjegjen tonë edhe pa asnjë takim të mbinatyrshëm në jetën reale. Kjo gjë e nxit mendjen tonë të mendojë për fantazmat sa herë që dëgjojmë një dërrasë dyshemeje të kërcasë ose ndiejmë një të dridhur të papritur.

Ne kemi evoluar për të marrë sinjale nga bota e jashtme për t’u shpëtuar kërcënimeve, kështu që shumë situata mund të na bëjnë të shohim gjëra që nuk janë aty.

Në vitet 1990, psikologët në Universitetin e Illinois në Springfield zhvilluan një tur me dy grupe njerëzish, duke i thënë vetëm një grupi se po hetonin fantazmat. Sigurisht, ata që ishin të informuar për specifikat e turit kishin shumë më tepër gjasa të raportonin emocione të forta dhe dukuri të çuditshme.

Më mirë të mos rrezikoni

Është e lehtë të shpërfillësh nocionin e aktivitetit paranormal në mes të ditës, por gjithçka ndryshon kur shkon në një bodrum të errët. Mjediset e panjohura dhe kërcënuese i rrisin instinktet tona të mbijetesës në një shkallë të lartë. Evolucioni ka treguar se njerëzit që mendonin “më mirë të sigurt se të përfundoj,ë keq” kishin më shumë gjasa të mbijetonin. Por kjo prirje mund të na bëjë të ndiejmë praninë e dikujt edhe kur jemi vetëm. Vetë pasiguria nxit faktorin e frikës.

Ju duhet pak shoqëri

Hulumtimet sugjerojnë se truri mund të thërrasë shpirtrat si një mjet për të përballuar traumat, veçanërisht dhimbjen e humbjes së një personi të dashur. Ekspertët mendojnë se përvoja të tilla na ndihmojnë të përballemi me ngjarje të dhimbshme ose konfuze.

Vdekja nuk është shkaktari i vetëm për një “takim miqësor” me fantazmat. Studimet sugjerojnë se fëmijët që janë bullizuar ose janë ekspozuar ndaj situatave të rrezikshme kanë më shumë gjasa të kenë fantazi paranormale, një prirje që psikologët e kanë vënë re edhe te të rriturit me një histori të traumave të fëmijërisë.

Truri nuk është mirë

Për disa, dëgjimi i zërave ose përjetimi i një vizioni mund të jetë një tregues i hershëm i çrregullimeve mendore. Disa prova madje sugjerojnë se njerëzit me çrregullime themelore të trurit priren të kenë konfrontime paranormale që janë më intensive dhe negative.

Edhe tek ata pa sëmundje mendore, ndryshimet e përkohshme në aktivitetin e trurit mund të çojnë në përvoja paranormale (për shembull marrja e drogat psikoaktive). Për më tepër, psikiatrit kanë konsideruar që shumë përvoja kanë ndodhur si rezultat i paralizës së gjumit (një gjendje ku mendohet se truri gjendet midis fazës së vetëdijes dhe pavetëdijes gjatë cikleve të gjumit).

Rreth 50% e individëve me sëmundjen e Parkinsonit raportojnë se halucinacionet janë një nga simptomat që ata përjetojnë dhe këto halucinacione ndonjëherë shfaqen në formën e fantazmave ose qenieve të tjera të mbinatyrshme.

Jeni në vendin e gabuar në kohën e gabuar

Situata të ndryshme mund të manipulojnë lehtësisht shqisat tona për të parë atë që nuk është aty.

Mendja po ju bën rreng

Vitet e fundit, neurologët kanë identifikuar bazat e mundshme për ndjenjën që dikush ose diçka po na ndjek. Hulumtimet sugjerojnë se konvulsionet në lobin temporal – zona që përpunon kujtesën vizuale dhe gjuhën e folur – mund të nxisin shikimin e fantazmave. Çrregullimet elektrike në këtë zonë të trurit mund të na bëjnë të ndihemi të lidhur me sferat e “botës tjetër”.

Pacientët që kanë një histori të problemeve të tilla kanë më shumë gjasa të raportojnë besime paranormale. Për më tepër, përvojat e mbinatyrshme priren të ndodhin midis orës 2 të mëngjesit dhe 4 të mëngjesit, gjë që disa studime sugjerojnë se është kur këto kriza ndodhin më shpesh.

Besohet se halucinacionet e raportuara shpesh nga alpinistët në lartësi të mëdha, eksploruesit polarë dhe marinarët e vetmuar mund të lidhen nga ndryshimet në kiminë e trurit të shkaktuar nga faktorë të tillë si hipotermia, nivelet e ulëta të oksigjenit dhe izolimi social.

Shtojcë

Shumica e studiuesve pajtohen se skeptikët nuk duhet të jenë shumë kritikë ndaj njerëzve që kanë këto besime. Në fund të fundit, një studim ka zbuluar se bestytnitë e ndryshme mund të rrisin performancën në një sërë aftësish. Është e lehtë të mendosh për veten si ai personi racional, por ka shumë faktorë që ndikojnë dhe njerëzit janë të ndryshëm.

Burimet:

· “Why Certain People See Ghosts While Others Don’t” – Frank McAndrew / Psycholody Today

· “Psychology: The truth about the paranormal” – David Robson / BBC Future

· “Why do we see ghosts” / Popular Science

Anabel.al

Exit mobile version