Punëtorët e Telekomit të Kosovës kanë protestuar para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës në shenjë pakënaqësie me situatën e krijuar në këtë ndërmarrje.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Telekomit, Lamih Balaj ka thënë se fajtorë për këtë protestë janë Qeveria dhe deputetët e Kosovës.
“Janë këta qeveritarë që me vite të tëra e kanë menaxhuar këtë ndërmarrje këtu dhe me fajin e tyre sot jemi një prej ndërrmarrjeve që na janë bllokuar xhirollogaritë. Sot jemi nën mëshirën e fatit. Kemi hyrë në muajin e dytë prej kur s’po i marrim pagat”, deklaroi mes tjerash Balaj.
Balaj ka thënë se s’do të heqin dorë nga protestat deri në përmbushjen e kërkesave të tyre.
“Nuk do të tërhiqemi nga protesta derisa qeveria nuk i zhbllokon xhirollogaritë dhe nuk e merr përgjegjësinë për dështimin e Telekomit. Kërkesat tona janë të qarta, zhbllokimi i llogarive dhe pagat e punëtorëve”, ka deklaruar ai./UBTNews