Me kërkesën për njohjen e femicidit si vepër të veçantë penale dhe për llogaridhënie institucionale, sot në Prishtinë është mbajtur një protestë kundër vrasjes së grave, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare për Eliminimin e Dhunës ndaj Grave.
Protesta, e organizuar nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), nisi nga sheshi “Zahir Pajaziti” me marshim drejt ndërtesës së Qeverisë së Kosovës. Nën moton “Femicidi është urgjencë kombëtare”, pjesëmarrësit kërkuan drejtësi për viktimat, reagim më efikas të Policisë dhe masa konkrete parandaluese.
Aktivistja Zana Hoxha kërkoi që vrasja e një gruaje për shkak të gjinisë së saj të trajtohet dhe emërtohet me ligj si vepër e veçantë penale në Kodin Penal të Kosovës, si dhe hetimet të shtrihen në të gjitha rrethanat paraprake.
“Kur një grua vritet për shkak të gjinisë së saj, ligji duhet ta emërtojë atë vrasje si femicid, ndërsa hetimi duhet të kthehet te gjithçka që i ka paraprirë asaj vrasjeje”, deklaroi Hoxha.
Ndërkaq, Besarta Breznica nga Rrjeti i Grave të Kosovës theksoi se rasti i vrasjes së Arlinda Zekajt obligon institucionet të japin llogari për mundësitë e humbura në parandalimin e tragjedisë, duke kërkuar reagim të menjëhershëm që në denoncimin e parë të dhunës.
“Nuk duhet të presim deri në vrasjen e një gruaje për të analizuar se ku ka dështuar sistemi. Institucionet duhet të veprojnë që në raportimin e parë të dhunës, t’i marrin seriozisht kërcënimet, ta vlerësojnë rrezikun dhe të ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për mbrojtjen e saj”, u shpreh Breznica. /E.A/
