Pas dy rasteve të rënda të vrasjeve të grave brenda pak ditësh në Malishevë dhe Prizren, sot në Prishtinë do të mbahet një protestë me thirrjen që siguria e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare.
Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka ftuar qytetarët të mblidhen në orën 12:00 në sheshin “Zahir Pajaziti” në kryeqytet, për të kundërshtuar femicidin dhe neglizhencën institucionale.
Organizimi ka katër kërkesa kryesore:
- Trajtim të sigurisë së grave si çështje me urgjencë kombëtare dhe si aspekt kyç të sigurisë publike; Përgjegjësi institucionale dhe funksionalizim të mirëfilltë të zinxhirit institucional që parandalon femicidin, duke përfshirë këtu qendrat për punë sociale
- Mirëfinancim të politikave sociale të mirëqenies që zbusin pabarazitë gjinore ekonomike që i mbajnë gratë të kurthuara në dhunë;
- Kodifikim të femicidit si vepër e veçantë penale;
- Edukim gjithëpërfshirës në sistemin arsimor që targeton maskulinitetin toksik dhe riformëson marrëdhëniet gjinore mbi parimin e barazisë dhe drejtësisë.
Thirrja për protestë vjen pas dy ngjarjeve tragjike që kanë tronditur opinionin. Të dielën, një 25-vjeçare shtatzënë u gjet e vdekur në shtëpinë e saj në Malishevë, ndërsa bashkëshorti i saj, i dyshuari kryesor, ndërroi jetë dje nga plagët që kishte marrë. Vetëm tri ditë më vonë, të mërkurën, një 81-vjeçar në Prizren u arrestua nën dyshimin për vrasjen e bashkëshortes së tij 80-vjeçare pas ushtrimit të dhunës fizike.
Statistikat zyrtare tregojnë një realitet të zymtë — nga viti 2010 e deri më sot, në Kosovë janë vrarë rreth 60 gra, duke e bërë dhunën me bazë gjinore një ndër problemet më kritike në vend. /E.A/
